Del në ankand fanella legjendare e Maradonës

“La mano de Dios” e Maradonës është bërë legjendare dhe sot, kushdo që dëshiron të zotërojë një pjesë të asaj magjie, mund ta blejë në ankand. Fanella që Pibe de Oro veshi kundër Anglisë në Botërorin 1986 në Meksikë, duke realizuar, përveç golit të famshëm me dorën, edhe një nga golat më ikonë në historinë e futbollit, duke anashkaluar të gjithë mbrojtjen kundërshtare do të shitet në ankand në internet. Këtë e ka bërë të ditur shtëpia e famshme e ankandeve Sotheby’s në Londër.
Për më shumë se 35 vjet, numri 10 i Argjentinës ishte në pronësi të ish-mesfushorit anglez Steve Hodge, i cili e ndërroi atë me Maradonën në fund të ndeshjes së stadiumit Azteca, e cila përfundoi 2-1 për Albiceleste. Fanella më vonë iu dhurua Muzeut Kombëtar të Futbollit të Mançesterit për t’u ekspozuar. Sotheby’s, i cili nga ana e tij do ta shfaqë atë në vendndodhjen e tij në Londër gjatë periudhës së shitjeve në internet (20 prill-4 maj), ka vendosur çmimin fillestar në katër milionë paund, ekuivalent me mbi pesë milionë euro.