Gjykata heq pezullimin ndaj Dukës

Gjykata e Tiranës ka hequr pezullimin nga detyra ndaj presidentit të FSHF, Armand Duka duke vendosur që ai të vazhdojë punën pa asnjë pengesë ligjore. Vendimi i marrë paraditen e së martës parashikon heqjen e masës së pezullimit edhe për sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku. Në këtë mënyrë, hetimet nga prokuroria e Tiranës për dy zyrtarët që akuzohen për falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre, do të vazhdojnë pavarësisht faktit që mund të ushtrojnë funksionet e tyre.
Pak javë më parë, vendimi për për pezullimin e përkohshëm nga detyra të kreut të FSHF-së u vendos me kërkesë të prokurorisë. Hetimet ndaj Dukës dhe Shulkut nisën pas kallëzimit të kryetarit të bashkisë Erion Veliaj, se në zgjedhjet e 24 janarit për kreun e shoqatës rajonale të futbollit të Tiranës, u rrit fiktivisht numri i delegatëve për të ndikuar tek rezultati. Prokuroria i zgjeroi hetimet ku sipas akuzës rezultoi i përfshirë edhe presidenti i FSHF, Armand Duka.