E Hënë, 2 Nëntor 2026

Delegacioni i Hamasit në Egjipt merr planin e ri të armëpushimit në Gaza

Negociatorët e Hamasit në Kajro kanë marrë një propozim të ri për armëpushim në Gaza , duke bërë thirrje për një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e pengjeve në dy grupe, tha të hënën një zyrtar palestinez.

“Propozimi është një marrëveshje kornizë për të nisur negociatat mbi një armëpushim të përhershëm. Hamasi do të zhvillojë konsultime të brendshme midis udhëheqjes së tij” dhe me udhëheqësit e fraksioneve të tjera palestineze për të shqyrtuar propozimin.”, tha një zyrtar në kushte anonimati për AFP.

Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty, deklaroi një javë më parë se Kajro po punonte me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara për të ndërmjetësuar një armëpushim 60-ditor “me lirimin e disa pengjeve dhe disa të ndaluarve palestinezë dhe rrjedhën e ndihmës humanitare dhe mjekësore në Gaza pa kufizime”.

Më shumë se dy javë negociata në kryeqytetin e Katarit, Doha, përfunduan muajin e kaluar pa ndonjë përparim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›