E Hënë, 2 Nëntor 2026

Konkurset e pranimit në Arte, në Shkodër konkurrohet për “Pedagogji muzikore” dhe “Pikturë-Grafikë”

Ka nisur këtë të hënë, faza e parë e konkurseve për pranimin e studentëve në Departamentin e Arteve të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

Dy programet e studimit ku aplikantët testohen janë “Pedagogji Muzikore” dhe “Pikturë – Grafikë”. Kjo ditë e parë e konkurrimit u përqendrua në sferën e njohurive teorike.

“Si departament artesh u bënë disa vite që e ruajmë një numër konstant, por është shumë e vështirë të shohim rezultatet direkte në raundin e parë, sepse ne kemi një specifikë të veçantë, konkurset. Ka shumë që e humbin një nga fazat e regjistrimit dhe detyrohen të vijnë në raundin e dytë,” shpjegon Ergys Pirani, pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Shkolla Artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër duket se mbetet sërish burimi kryesor i prurjeve të reja.

“Shumë nxënës të kësaj shkolle, të cilët e kanë mbaruar, rikthehen tashmë për t’u laureuar në pedagogji muzikore, e cila është një degë që u jep atyre hapësira të mëdha, duke i bërë të aftë të futen në sistemin arsimor me thjeshtësi të madhe,” thotë pedagogu Gjon Shllaku.

Konkurset e pranimit do të vijojnë edhe ditën e martë, duke nisur nga ora 9:00 në mjediset e Departamentit të Arteve.

Gazetar: Marjo Gjini

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›