Delegacioni i KLP-së, vizitë studimore në Spanjë

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Delegacioni i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zhvilloi një vizitë studimore në Spanjë, ku u prit në Prokurorinë e Përgjithshme të Spanjës nga prokurorja e përgjithshme, Teresa Peramato Martín, dhe Francisco Jiménez-Villarejo Fernández, prokuror i lartë dhe drejtues i njësisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
KLP njofton se në takim mori pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.
Sipas KLP-së, gjatë vizitës u shkëmbyen përvoja mbi organizimin dhe qeverisjen e prokurorisë, menaxhimin e karrierës së prokurorëve, digjitalizimin e proceseve, si dhe rëndësinë e komunikimit institucional dhe marrëdhënieve me median për rritjen e transparencës dhe besimit publik.
Vizita u realizua me mbështetjen e projektit EU4Justice, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimit me standardet evropiane.
Vizita konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Spanjës për proceset e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe sundimin e ligjit.
/e.i/r.e/a f/