E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtronte në tregun e produkteve dentare, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë! Përfitoi rreth 12 mijë euro

Operacioni policor i koduar “Reputacioni” është finalizuar nga Policia e Tiranës këtë të premte.

Në pranga ka rënë një 27-vjeçar, i dyshuar se ka mashtruar furnitorë dhe klinika dentare duke u prezantuar si përfaqësues i një kompanie.

27-vjeçari ka përfituar rreth 12 mijë euro nga kjo veprimtari e paligjshme.

“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të përfaqësuesve të një kompanie dentare, se një shtetas i paautorizuar prej tyre, ish punonjës në këtë subjekt, vijonte të blinte dhe të shiste produkte në emër të kompanisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Reputacioni”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi K. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka mashtruar furnitorë të produkteve dentare, duke u prezantuar si përfaqësues i kompanisë në këtë fushë, në të cilën kishte punuar më parë, për të blerë produkte, të cilat më pas i shiste në klinika. Nga kjo veprimtari e kundërligjshme, 27-vjeçari dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash (të dokumentuara deri tani, rreth 12 000 euro).

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›