E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delegacioni i KiE në Tiranë, për të asistuar Topin

Delegacioni i KiE-së do të zhvillojë takime në Tiranë më 22 shkurt për të mbështetur procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike

TIRANË - Një delegacion i Këshillit të Europës pritet të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh, në Tiranë, në fillim të javës që vjen. Në sitin zyrtar të Këshillit të Europës është njoftuar axhenda e vizitës dyditore të delegacionit, që pritet të vijë në Tiranë në datën 22 shkurt dhe që do të asistojë Presidentin e Republikës në rolin e si mediator për rivendosjen e dialogut politik në Shqipëri.


"Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), Mevlut Çaushoglu, dhe liderët e pesë grupeve parlamentare së bashku me bashkë-reporterët e monitorimit për Shqipërinë do të vizitojnë Tiranën më 22 dhe 23 Shkurt, kur ata do të takojnë Presidentin e Republikës, Kryetarin e Parlamentit, Kryeministrin, liderët e partive politike dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar", thuhet në njoftimin për shtyp të Këshillit të Europës.


Sipas KiE-së, vizita e tyre është një përgjigje ndaj kërkesës së Asamblesë për të "mbështetur procesin e zgjidhjes së situatës aktuale politike dhe të asistojë Presidentin Topi në rolin e tij si mediator dhe në përpjekjet e tij për të rivendosur dialogun politik". Më miratimin e rezolutës në fund të muajit të kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i kërkoi Komitetit të saj presidencial që të vizitojë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur.


Pas miratimit të rezolutës me debate të dy raporterëve, Jako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Uillshire (Mbretëria e Bashkuar, EDG), Asambleja Parlamentare doli edhe me një njoftim zyrtar, ku thuhej se Komiteti i saj presidencial, në bashkëpunim me Komitetin Vëzhgues të raportuesve për Shqipërinë, Jako Laakso dhe David Uillshire do të vizitonin Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur për të ndihmuar në rivendosjen e dialogut politik atje.


Përmes një njoftimi zyrtar pak kohë më parë, Asambleja shprehte keqardhjen që "kriza politike kishte dëmtuar rëndë politikën shqiptare pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, ku Partia Socialiste ka bojkotuar parlamentin dhe kontestuar legjitimitetin politik të Partisë Demokratike në qeveri". Për t'i dhënë fund këtij bllokimi politik, Asambleja i bëri thirrje qeverisë shqiptare për të ngritur, pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar për hetim të zgjedhjeve.


Në fund të muajit të kaluar, Asambleja shprehu gjithashtu keqardhjen që mungesa e dialogut parlamentar e kishte bllokuar procesin e reformës, pasi shumica qeverisëse nuk kishte shumicën e tre të pestave e nevojshme për të kaluar reformat kryesore kushtetuese.


Komiteti Presidencial përbëhet nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, krerët e grupeve politike dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë. Ky i fundit nuk do të jetë pjesë e delegacionit për arsye shëndetësore.


Nëse vizita e delegacionit të Këshillit të Europës dështon në misionin e saj, Shqipëria kalon në monitorim të Komitetit të Ministrave të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës dhe grupi raportues për Demokracinë do të propozojë në varësi të situatës vendimet që duhen të ndërmerren më pas për Shqipërinë.

******************


Topi tha se është i angazhuar personalisht në gjetjen e pikëtakimeve të kërkesave

Kroaci, Topi: Palët do të gjejnë zgjidhje

TIRANË - Edhe pse dy takimet e para të zhvilluara në Presidencë me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, nuk kanë sjellë rezultat, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shprehet optimist se negociatat e zhvilluara janë një hap konkret dhe pozitiv, që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive.


Gjatë vizitës së zhvilluar në Kroaci, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një takim me Nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, Kreu i Shtetit e njohu z. Lju me disa prej zhvillimeve më aktuale në vend.


"Temë e bisedës ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe u vlerësua se mbledhja e saj është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive.


Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës. Në këtë pikë, Nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës, duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike", - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.


Deklarata zyrtare citon se, Presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shprehur bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja në të ardhmen.


"Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm e kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO", - u shpreh Kryetari i Shtetit në këtë takim.

***********************

Presidenti i Asamblesë Parlamentare i OSBE-së kërkon hetim tërësor të zgjedhjeve dhe futjen e opozitës në Kuvend

OSBE, Soares: Duhet hetim i plotë i zgjedhjeve

"Palët duhet të ndërmarrin një hetim tërësor të zgjedhjeve, konform ligjeve të vendit dhe praktikës së vendosur nga Kushtetuesja"

TIRANË - Organizmi ndërkombëtar që certifikoi procesin elektoral të 28 qershorit në Shqipëri, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE) përshëndet ndërmarrjen e një hetimi të plotë dhe hollësishëm të këtyre zgjedhjeve, ashtu siç edhe kërkon opozita në vend.


Pohimi ka ardhur nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, pas takimeve që ai zhvilloi në Vjenë me kryetaren e parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli dhe kryetarin e opozitës shqiptare, Edi Rama.


Në një deklaratë dhënë për mediat menjëherë, pasi është njohur me qëndrimet e të dyja palëve, Presidenti Soares është përpjekur që të jetë shumë i qartë dhe nuk ka lënë vend për interpretime, teksa ka deklaruar se palët duhet të ndërmarrin një hetim tërësor të zgjedhjeve, konform ligjeve të vendit dhe praktikës së vendosur nga Gjykata Kushtetuese më parë.


"Unë përshëndes gatishmërinë nga të dy palët për të marrë pjesë në një komision parlamentar që do të ndërmarrin një hetim të plotë dhe tërësor të zgjedhjeve, në respektim të Kushtetutës dhe vendimeve përkatëse të gjykatës kushtetuese", - tha President i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares.


Por, ai nuk është mjaftuar me kaq, pasi për të forcuar qëndrimin e vet dhe të organizmit që ai drejton, ka theksuar se pretendimet e opozitës për manipulime duhen marrë në konsideratë për tu vërtetuar. "Pretendimet për manipulime elektorale të bëra nga opozita, duhet gjithashtu të shihen", - tha Soares në deklaratën e vet.


Por, në të njëjtën kohë, kreu i asamblesë së OSBE-së është përpjekur të jetë i ekuilibruar në qëndrimin e vet, pasi ndërsa ka folur për hetimin e zgjedhjeve, nga ana tjetër e ka konsideruar si detyrim për opozitën që të zërë vendet e saj në parlament.


Ky do të ishte hapi i duhur, sipas tij, në të mirë të qëndrueshmërisë politike të vendit. "Në interes të stabilitetit, dhe për të lëvizur përpara me dialog dhe pajtimi, unë u bëj thirrje të gjithë kandidatëve të zgjedhur që të pranojnë menjëherë mandatet e tyre në parlament", - tha më tej Soares.


Megjithatë, pavarësisht se pranoi një hetim të plotë të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Presidenti i Asamblesë së OSBE-së ka ritheksuar vlerësimin e tij për raportin përfundimtar që ky organizëm hartoi dhe publikoi për procesin elektoral të 28 qershorit.


Presidenti Soares rikonfirmoi mbështetjen e tij të vlerësimit që OSBE-ja i bëri zgjedhjeve parlamentare të qershorit 28. Deklaratat paraprake paszgjedhore të OSBE-së në 29 qershor 2009, i vlerësuan zgjedhjet si të përmirësuara, por theksuan se shkeljet vazhdojnë.


"Misioni i OSBE u kryesua nga Zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare, Wolfgang Grossruck, i cili ka shumë eksperiencë. Ndërsa vuri re përmirësime, ai dhe ekipi i tij, nënvizuan një sërë çështjesh të rëndësishme që kishin nevojë të adresoheshin", - tha ndërmjet të tjerave Soares.


Gjithashtu, duke iu referuar këtij raporti, OSBE-ja në faqen e saj zyrtare evidenton se në deklaratën e datës 29 qershor 2009, vëzhguesit thanë se zgjedhjet shënuan një progres të dukshëm për sa i përket regjistrit zgjedhor dhe procedurave të identifikimit, si dhe miratimit të një kuadri ligjor të përmirësuar.


Por, vazhdon më tej njoftimi i OSBE-së, vëzhguesit vunë re që këto përmirësime u errësuan nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljet e vëna re gjatë fushatës, të cilat minuan besimin e publikut tek procesi zgjedhor.


Ishte pikërisht OSBE, e njohur nga klasa politike shqiptare si arbitri ndërkombëtar i këtyre zgjedhjeve, ajo që në raportin e saj përfundimtar evidentoi se në 1/5 e qendrave të numërimit të votave ky proces u zhvillua keq ose shumë keq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›