Berisha: Soares i OSBE-së, socialist. Kutitë nuk hapen

Edhe Berisha reagon pas deklaratës së OSBE-së. Sipas tij, opozita mund të hetojë çdo gjë, pa prekur vendimet e gjykatave
TIRANË- Ndërkohë që Presidenti i Asamblesë të OSBE-së, Joao Soares, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit t'i nënshtrohen një hetimi parlamentar të plotë e tërësor, Kryeministri i vendit, Sali Berisha, këmbëngul në qëndrimin e tij se ky hetim mund të realizohet, por pa dalë mbi vendimet e gjykatave dhe Gjykatës Kushtetuese.
Megjithëse opozita ka deklaruar edhe më parë që me hetimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar, nuk synon që të prekë vendimet e gjykatave, lideri i shumicës Berisha theksoi dje në Parlament se as mazhoranca dhe as opozita nuk janë të autorizuara për të trajtuara vendimet e pushtetit gjyqësor.
"Jam këtu për të garantuar Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe presidentin Soares, për vullnetin e plotë të mazhorancës për t'u angazhuar në reforma të thella dhe të gjithanshme me opozitën, për të respektuar plotësisht të drejtën e saj, sepse këtu nuk i bëhet asnjë lëshim opozitës, ajo ka një të drejtë Kushtetuese për komisionin hetimor parlamentar, për të hetuar çdo gjë tjetër, përveç atyre problemeve mbi të cilat kanë vendosur gjykatat dhe për të cilat Kushtetuta e vendit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk autorizojnë as mazhorancën dhe as opozitën të ndërmarrin ndonjë hap në këtë drejtim", - tha dje Berisha, duke vënë në dukje më pas se "Soares është një personalitet i shquar, me përkatësi partiake socialiste".
"Është në interesin më të mirë të vendit që edhe ky dokument i ri, i lëshuar sot nga Kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, një personalitet i shquar, me përkatësi partiake socialiste, të cilin unë e vlerësoj, të jetë një nxitje tjetër për suksesin e tryezës nga e cila me të vërtetë mund të dilet, në bindjen time më të thelle, me rezultate plotësisht të prekshme, të cilat bëjnë të mundur kthimin e opozitës në Parlament.
Ndonëse raporti nuk kërkon që mazhoranca t'i japë shumicën pakicës, unë e kam bërë këtë zotim dhe do ta mbaj, që në Komisionin Hetimor Parlamentar, t'i krijojmë opozitës mundësi reale që në çdo votim të jetë shumicë. Garantoj opozitën se ne i qëndrojmë premtimit tonë, si dëshmi e një vullneti të hekurt për t'u dhënë përgjigjen më të mirë shqetësimeve të saj", - theksoi Kryeministri.
Sali Berisha nënvizoi më tej se mazhoranca e bën këtë lëshim që opozita të kthehet në Parlament dhe të kryejë një hetim të plotë parlamentar të zgjedhjeve, por pa prekur vendimet e gjykatave që eventualisht, sipas Berishës, nuk lejon hapjen e kutive të votimit. "Ky është një koncesion që ne e bëjmë për hir të ardhjes së opozitës në Parlament.
Këtë koncesion në interesin më të mirë të vendit e bën mazhoranca për t'i dhënë opozitës garanci që të mundë të ushtrojë hetimin e plotë parlamentar por në respekt të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese", - u shpreh Kryeministri, ndërsa bëri thirrje që deputetët e opozitës të hyjnë në Kuvend brenda datës 4 mars.