Delegacioni i VV-së diskuton për Kosovës me senatorin amerikan

Takimet e delegacionit të Lëvizjes Vetëvendosje! në ShBA po vazhdojnë. Ata sot janë pritur nga senatori Chris Murphy nga Connecticut, Kryesues i Nënkomitetit për Çështje Evropiane në kuadër të Komitetit për Politikë të Jashtme në Senatin e Shteteve të Bashkuara.
“Në takimin e mbajtur në zyrat e Senatit të Shteteve të Bashkuara, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! paraqitën pikëpamjet e tyre në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sfidat ekonomike të Kosovës, dhe procesin e privatizimit”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Sipas këtij njoftimi, senatori Murphy falenderoi për vizitën dhe qëndrimet e shprehura si dhe u zotua për kontakte të mëtutjeshme dhe adresimin e çështjeve të ngritura.
“Të dyja palët ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë si atë ndërmjet deputetëve dhe senatorëve ashtu edhe në mes të shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksohet më tej në njoftim.
Delegacioni i VV-së ka nisur turin në Amerikë rreth dhjetë ditë më parë./Indeksonline./