E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dell e Sparks, të shqetësuar me incidentet në Istog

Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell dhe ambasadori britanik Andrew Sparkes kanë shfaqur shqetësime në lidhje me incidentin e shkaktuar në fshatin Banjë, gjatë procesit zgjedhor për komunën e Istogut, me ç’rast Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona.

“Do të ishte shqetësuese sikur incidente të tilla të vazhdonin edhe gjatë natës. Duhet të jemi të sigurt që KQZ-ja të rritë numrin e vëzhguesve dhe partitë të kufizojnë numrin e pjesëtarëve të tyre në vendvotime. Gjithë këta të rinj nuk duhet të sorollaten rreth vendvotimeve, ata duhet të largohen nga autoritetet”, ka thënë ambasadori Dell gjatë vizitës që i bëri të dielën Istogut, transmeton Kosovapress.

Edhe ambasadori Sparkes kërkoi që procesi zgjedhor të kalojë në frymë të lirë dhe demokratike.

“Nëse ka shumë të rinj që rrinë këtu tërë ditën dhe i vëzhgojnë votimet, kjo është frikësuese. Njerëzit në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë të frikësuar gjatë procesit të votimit”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës ka arrestuar të paktën tetë persona në Banjë të Pejës, të cilët kanë tentuar të hyjnë në këtë qendër votimi. Dyshohet se disa nga këta persona nuk kanë qenë fare nga komuna e Istogut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›