E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lama uron kryeministrin Thaçi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar një telegram urimi dhe falënderimi nga Shenjtëria e Tij, Dalai Lama i Katërmbëdhjetë.

Me rastin e dy-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ishte organizuar një garë kombëtare e vizatimeve në të gjitha shkollat e Kosovës, me ç’rast, vizatimet më të mira janë përzgjedhur dhe u janë dërguar liderëvë dhe personaliteteve më të rëndësishme në mbarë botën, bashkë me letrën përshëndetësë nga Kryeministri Thaçi. Dalai Lama është njëri nga të adresuarit.

“I kam përcjellur zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkan me interesim, por edhe me shpresë. Jam i gëzuar që situata atje tani është përmirësuar shumë edhe me arritjen e pavarësisë së Kosovës pas përkujdesjes së OKB-së. Tani duket se rajoni është vërtetë më i qetë dhe më paqësor”, thuhet në letrën e Lamas drejtuar Kryeministrit Thaçi.

“Deri sa po shënoni përvjetorin e dytë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj të ofroj urimet e mia për Shkelqësinë Tuaj dhe popullin e Kosovës. Në të njejtën kohë, lutem që shteti juaj demokratik, me komunitetet e veta të ndryshme që jetojnë së bashku në paqe, në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, do të jetë një model që të tjerët do ta ndjekin.”

Duke kujtuar se sapo ka kaluar shënimi i 51-vjetorit të kryengritjes paqësore të popullit të Tibetit, Dalai Lama i ka përcjellur Kryeministrit Thaçi edhe kopjen e deklaratës së publikuar me këtë rast.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›