E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dell mbështet strategjinë për veriun

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell, ka thënë se vendi i tij mbështet planin e Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe të Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në Veri të vendit.

“Ne mbështesim plotësisht planin e ICO’së dhe Qeverisë për të punuar me një intensitet të shtuar për kthimin e Veriut të Kosovës në sistemin e këtij shteti - me fokus të veçantë te sundimi i ligjit”, tha Dell, pas një takimi me Ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendin.

Sipas tij, strukturat paralele dhe strukturat e krimit të organizuar bashkohen në një fjalë, e cila është - të qenit të jashtëligjshëm.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se qytetarët të cilët jetojnë në Veriun e lumit Iber, janë shumë të frustruar dhe të zhgënjyer, sepse jetojnë nën strukturat kriminale, të cilat kanë shtrirë pushtetin atje”, tha ai.

“Të jemi të qartë - strukturat kriminale, strukturat e krimit të organizuar në Veriun e vendit janë plotësisht të ndërlidhura me të ashtuquajturat struktura paralele. Kriminelet, pavarësisht a janë serbë, apo shqiptarë, ata bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë aty ku nuk sundon ligji, dhe të parët të cilët e vuajnë këtë, janë ata të cilët jetojnë aty. Dhe strukturat paralele dhe strukturat e krimit të organizuar bashkohen në një fjalë, e cila është të qenit të jashtë ligjshëm”, shtoi Ambasadori amerikan, Christopher Dell.

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Christoper Dell, të martën kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit, në të cilin parashihet themelimi i kornizës për asistencën e SHBA’së në institucionin e Kodit Penal të Kosovës si dhe Kodin për Procedura Penale.

Në bazë të kësaj marrëveshje, SHBA’ja zotohet të sigurojnë një ekspert të fushës penale të cilin do ta financojë Ambasada amerikane, i cili do të angazhohet me specialistë vendorë, në hartimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Sipas ministres Kelmendi, kjo është një ndihmë shumë e vlefshme për drejtësinë kosovare. Derisa, diplomati amerikan tha se ndihma e Qeverisë amerikane për Qeverinë kosovare do të vazhdojë.

“Marrëveshjen të cilën e nënshkruam sot për të sjell një ekspert, është njëri nga hapat e shumë që do të shihni në bashkëpunimin në mes të Qeverisë së SHBA-ve dhe të Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovës”, tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›