E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi në BE, jetik për Kosovën

Të mërkurën pritet fillimi i dialogut ndërmjet një delegacioni ekspertësh të Komisionit Europian me autoritetet kosovare, për lehtësimin e regjimit të vizave për kosovarët që udhëtojnë vendet e Bashkimit Europian.

Dialogu synon koordinimin e agjendës Prishtinë-Bruksel për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga Komisioni Europian për të realizuar liberalizimin e vizave, proces të cilin Qeveria e Kosovës e ka shpallur prioritet për vitin 2010.

“Besoj që këto janë ditët adekuate për të përcaktuar këtë. Ne kemi shpallur vitin 2010 vit të përkushtimit tonë për plotësimin e këtyre kritereve. Besojmë që viti 2011 do të jetë viti i marrjes së vendimit pozitiv për Kosovën. Nuk duhet të harrojmë që ne kemi hyrë shumë vonë për shkak të statusit tonë në këtë proces, por do ta përshpejtojmë dinamikën dhe në kuptimin kohor të jemi më të shpejtë sesa vendet e tjera që e kanë rrugëtuar këtë çështje”, ka deklaruar Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër.

Ai vlerësoi se përmbushja e kritereve teknike për heqjen e regjimit të vizave me BE’në për Kosovën është e domosdoshme.

“Tani na mbetet neve që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë, t’i kryejmë obligimet tona dhe besoj që prapë nuk do të mungojë vullneti politik nga të gjitha shtetet anëtare të Unionit Europian që të jemi pjesë e këtij procesi, ngase për ne është jetike rruga për integrimin europian”, shtoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›