Delvina në një guidë turistike
Me ambicien për t‘u përfshirë në lëvizjen turistike të rajonit më jugor të vendit, Delvina është bërë me guidën e vet turistike një botim që orienton flukset e vizitorëve në pasuritë kulturore dhe natyrore të kësaj zone. Kjo është guida e parë turistike, hartuar nga Ylber Hysi. Pjesa më e rëndësishme e guidës janë kontributet e mëdha që Delvina e vogël ka dhënë në historinë kombëtare. Guida e Ylber Hysit ndalet në ndriçimin e personazheve të mëdha të Delvinës, si Kryeministri i parë i dalë nga Kongresi i Lushnjës, Sulejman Delvina, kryebashkiaku i parë, Namik Delvina, si dhe figura të shquara në fushën e arsimit etj. Guida sjell në mënyrë përshkruese monumentet natyrore dhe ato të kulturës, kalaja e Xhermëhallës e krojet e vjetra, kompleksi islamik i Gjin Aleksit dhe shtëpia 300-vjeçare e Gizdarëve në Rusan, të cilat janë rivlerësuar pas restaurimit profesional që u është bërë. Objekte të rralla kulti që gjenden në Delvinë: kisha, xhami e tyrbe janë interpretuar si dëshmi të bashkëjetesës fetare të delvinjotëve, si dhe janë përfshirë në përshkrim.