Solistët e operës takohen në Tiranë
Solistët më të mirë të rajonit të Europës Qendrore dhe Juglindore do të takohen në Tiranë. Së bashku do të ngjiten në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit për të interpretuar pjesët më të mira të repertorit të tyre. "Opera Gala" e datës 26 maj, ora 18:30, do të jetë edhe koncerti përmbyllës për këtë sezon artistik të TOB-it. Solistët e ftuar, pjesë e projektit të "CEE Muzikteatër" të Vjenës, një nismë disavjeçare, vijnë nga Kroacia, Sllovenia, Rumania, Serbia, Bullgaria, Maqedonia etj. Shqipëria përfaqësohet nga Vikena Kamenica, Eriona Gjyzeli dhe Sidrit Bejleri. Mes figurave të muzikës operistike që vijnë me këtë rast të vizitojnë Teatrin tonë të Operës në Tiranë, është edhe drejtori i operës shtetërore të Vjenës, Dr.Ioan Holender. Qëllimi i kësaj nisme ndërkufitare është e ardhmja e orientuar drejt promovimit të teatrove muzikore ekzistues në Europën Qendrore dhe Lindore si një forcë lëvizëse e jetës kulturore. "CEE Muzikteatër" është një rrjet i krijuar për të mbështetur vendet në rajon, ku teatrot e muzikës përballojnë vështirësi të shkaktuara nga buxhetet e pamjaftueshme. Përmes bursave të veçanta, solistëve që spikasin në teatrot ku punojnë u jepen bursa të posaçme, gjatë së cilave ata trajnohen, pasurojnë repertorin e pjesëve të interpretuara dhe fitojnë eksperiencën e nevojshme për skenën.