Delvinë, mungojnë kanalizimet e ujërave të zeza

Një problem i mbartur prej vitesh në bashkinë e Delvinës, është mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza, jo vetëm në zonat rurale por edhe brenda në lagjet e qytetit. Kjo bashki sipas drejtorit të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve në Delvinë Vasil Marga, ka nevojë për ristrukturim dhe për ndërhyrje, pasi zona e Delvinës është shumë afër vijës bregtetare dhe ka efekte e ndikime në ujërat që derdhen në detin Jon.
“I gjithë qyteti i Delvinës ka kanalizime që përkojnë me një periudhë shumë të hershme dhe ka nevojë të ristrukturohet dhe të bëhet ndërhyrje. Po punojmë me institucione shtetërorë dhe fondacione të tjerë pë të gjetur mundësi për të investuar në këtë pjesë duke e parë të nevojshme që të ndërhyhet nëpër to. Në zonat rurale me kalimin e aseteve të ish komunave të bashkisë Delvinë në administrimin e ndërmarrjes së ujësjellës-kanalizimeve shikojmë që zonat rurale nuk kanë kanalizime të ujrave të zeza dhe detyrimisht duhet të përfshihemi në një projekt kombëtar për sistemimin e ujërave të zeza, pasi zona e Delvinës, është një zonë shumë afër vijës bregdetare dhe ka efekt dhe impakt në cilësinë e ujërave që derdhen në detin Jon” shprehet drejtori Vasil Marga.
Kjo nuk është hera e parë që ndërmarrja e ujësjellës-kanalizimeve kërkon sa më shpejt të zgjidhet ky problem kaq serjoz për shëndetin e të gjithë banorëve, që nga Delvina deri në Sarandë, pasi ky problem ekziston prej vitesh.