Gjirokastër, shtohen virozat stinore te moshat pediatrike

Temperaturat e larta të motit dalë dhe jashtë kufijve të normales për stinën e pranverës kanë sjellë rritjen e sëmundshmërisë të moshat pediatrike në Gjirokastër. Në pavionin e pediatrisë dhe poliklinikën e Spitalit Rajonal “Omer Nishani” paraqiten për vizitë rreth 50 fëmijë në 24 orë, ndërkohë që shtrimet për trajtim spitalor janë të pakta. Në rritjen e sëmundshmërisë, sipas bluzave të bardha, ka ndikuar edhe lirimi i masave mbrojtëse.
“Ne presim një shtim të virozave stinore duke qenë se ndryshimi i temperaturave ka pjesën e saj plus lirimi i masave ka të bëjë me grumbullimin e fëmijëve dhe ajo që nuk ndodhi në janar po ndodh tani. Është rritur numri i vizitave i cili shkon në 50 në ditë. Kryesisht rastet që paraqiten janë me rinobronkite, me temperaturë, dhe janë shfaqur format gastrointensinale. Shtrime në pavion janë shumë pak, më shumë janë me terapi ditore. Kemi dy raste me bronkopneumoni dhe një fëmijë me enterovirozë. Këshillat janë të njëjta. Distancimi social, ndjekja e temperaturës, e ushqyerjes etj.” – bën të ditur shefi i patologjisë Edmond Kotoni.
Sigurisht që këto ditë vizitat janë shtuar edhe te mjekët pediatër në ambulancat e lagjeve.