Demaçi: Do të bashkohemi me Shqipërinë

Të shtunën është shënuar 100-vjetori i Kuvendit të Kurillovës, i njohur si Kuvendi i Besës dhe i ngritjes së Flamurit në Vesekofc. Në vendin ku përpiqen tri komunat, Mitrovica, Vushtrria dhe Podujeva, ku 100 vjet më parë Isa Boletini mbajti Kuvendin, u mblodhën qytetarë nga këto tri komuna, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kryetarët Avni Kastrati, Bajram Mulaku e Agim Veliu, deputetë të Kuvendit të Kosovës, veprimtari Adem Demaçi dhe familjarë nga Isniqi dhe të Isa Boletinit.
Fillimisht u ngrit flamuri i Isa Boletinit, e pastaj kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati foli për qëndresën, vizionin dhe përpjekjet e dëshmorëve ndër shekuj në luftën për liri.
Ai e veçoi kontributin e kryetrimit Isa Boletini, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit dhe të tjerëve, shkruan “Zëri”. Ndërkaq, veprimtari Adem Demaçi e vlerësoi Isa Boletinin si gjeneralin e gjeneralëve pa diplomë, i cili posa mbajti Kuvendin e Besës, nxitoi për në Vlorë për të marrë pjesë në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.