Demaçi: EULEX-i po mban anën e Beogradit

“EULEX-i po përpiqet të luajë rolin e neutralit në Kosovë, por faktikisht po mban anën Beogradit. E kjo është e dëmshme për Kosovën”, ka thënë Adem Demaçi.
Ai e ka vlerësuar lart edhe unitetin që po tregojnë në këtë kohë, të gjitha subjektet politike në vend dhe ka bërë thirrje të ruhet ky unitet.
Duke komentuar ngjarjet e fundit në veri të vendit, Demaçi ka përshëndetur veprimin e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e autoritetit edhe në veri, por e ka konsideruar gabim tërheqjen para kohe të Njësive Speciale të Kosovës nga pika 1 në Jarinje dhe pika 31 në Bërnjak.
“Ne shkuam atje, por u tërhoqëm në kohën kur nuk është dashur të tërhiqemi. Në vend se të dërgohen edhe më shumë forca speciale atje, ne i tërhoqëm edhe ato forca dhe serbët na dogjën pikën. Ne u fshehëm te gjermanët. Erdhën i morën pikat gjermanët, amerikanët dhe francezët e ne mbetëm kurrkund hiç. U bë ajo çfarë kërkoi Serbia, të kthehet gjendja e mëparshme”, ka thënë Demaçi.