E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demaçi: Thaçi ishte i detyruar të bëjë lëshime

Veprimtari për çështje kombëtare Adem Demaçi, ka dhënë një vlerësim për liderët e partive politike dhe udhëheqësve të institucioneve në Kosovë. Ai ka thënë se kryeministri aktual, Hashim Thaçi ka qenë i detyruar të bëjë lëshime përballë faktorit ndërkombëtar. Ndërsa, e ka vlerësuar lartë Ramush Haradinajn, duke thënë se janë duke u bërë padrejtësi të njëpasnjëshme ndaj tij.

“Ramush Hardinajn janë duke e ndjekur padrejtësisht, sepse janë kah e shkarravitin dhe kah e dhunojnë. Një hero të luftës sonë çlirimtare, populli ynë e do këtu Ramushin”, ka thënë Demaçi.

Gjatë një bisede për RTK-në Demaçi ka vlerësuar edhe udhëheqjen e tanishme. Ai ka thënë se koalicioni është një garniturë perfekte, por që udhëheqësi i kësaj qeverie, Kryeministri Hashim Thaçi, ka bërë disa lëshime të vogla.

“Kryeministri i ka bërë disa lëshime, por edhe ka qenë i detyruar që t’i bëjë ato lëshime. Atij ia kanë qit letrat përpara dhe i kanë thënë nënshkruaj. Dhe ai normal që do të nënshkruaj, sepse në anën tjetër ju ka rrezikuar kolltuku, edhe pse ka bërë përpjekje të mëdha që të mos nënshkruaj. E, Thaçi nuk është melaqe e të rrezikoj vendin e tij për shkak të nënshkrimeve”, ka theksuar Demaçi, citon indeksonline.

Po ashtu Demaçi ka folur edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje. Albin Kurti, sipas Demaçit, është duke luftuar vetëm për ta rrëzuar Hashim Thaçin.

Ai theksoi se bashkimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, Kurti mund ta bëjë edhe nëse nuk është në pushtet, duke i bashkuar arsimin, kulturën etj..

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›