Sezoni i interpelancave

Fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë pritet të shënojë konfrontimet me të ashpra mes PDK’së dhe LDK’së në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë sesionit vjeshtor të Kuvendit, Partia e Isa Mustafës po planifikon të thërrasë në interpelancë një pjesë të madhe të Qeverisë.
Ballafaqimi i parë pritet të jetë me Kryeministrin Hashim Thaçi, në lidhje me marrëveshjen e vitit të kaluar të arritur mes PDK’së, LDK’së dhe AKR’së.
Pastaj me Ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj në lidhje me skandalet e njohjeve dhe në fund, në interpelancë do të thirret edhe Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi.
Kjo është konfirmuar nga deputeti i LDK’së, Arben Gashi.
“Seancat do t’i mbajmë derisa të largohet Kryeministri. Interpelanca e parë do të jetë për moszbatimin e Rezolutës së Kuvendit e dalë nga Marrëveshja e liderëve. Do të vazhdojmë me politikën e jashtme, me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe çështje të tjera”, ka thënë Gashi, për Express, të dielën.
“Janë disa interpelanca që do të mbahen”, ka shtuar ai.
Përgjigjja e zyrtarëve të Qeverisë dhe të PDK’së ka qenë pozitive për ballafaqim me opozitën në Kuvend.
“Në secilin rast, ashtu siç parashihet me Kushtetutë dhe Rregulloren e punës së Kuvendit, ne do të përgjigjemi në Kuvend”, ka thënë Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi për Express.
Ndërkohë, me iniciativën e LDK’së ka ironizuar Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci.
Ai ka thënë se Kryeministri dhe ministrat janë të gatshëm të ballafaqohen me ata që i mbajnë duart në xhepa dhe s’punojnë asgjë.
“Gatishmëria e PDK’së për t’u ballafaquar me mospunëtorët ka qenë dhe do të jetë gjithnjë. Për ata që rrinë me duar në xhepam vërtet ne me punën tonë dhe angazhimin tona do të mbeten gjithmonë duarxhepa”, ka thënë Grabovci.
Megjithëkëtë, Arben Gashi i LDK’së nuk e përjashton votëbesimin ndaj Qeverisë, kur të mbahen interpelancat në Kuvend.
“Kjo mbetet të zbulohet në momentin e caktuar. Është herët të përmendim një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë”, ka thënë ai.
Por, Adem Grabovci deklaron se PDK’ja është e gatshme për ballafaqim me LDK’në, qoftë në Kuvend, qoftë në zgjedhje të përgjithshme dhe në zgjedhje të drejtpërdrejta presidenciale.
“E mirëpresim çdo iniciativë për debat, qoftë për Kryeministrin, ministrin apo për rangje të tjera. Ne kemi përgjigje për secilën pyetje. Kryeministri dhe as PDK’ja nuk e ka refuzuar marrëveshjen. LDK’ja po tregon papjekuri për ballafaqim me realitetin. LDK’së nuk ia dëshirojmë një fat sikur në Kaçanik, sikur në Ferizaj, sepse ne kemi dëshirë të kemi përballë një konkurrencë”, ka thënë ai.
Duke komentuar paralajmërimet për interpelanca me anëtarët e kabinetit qeveritar, Adem Grabovci ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë arritur pjekuri për të vlerësuar punën prej mashtrimeve dhe demagogjive.
“Edhe Ministri Hoxhaj ka gatishmëri të shkojë në Kuvend dhe të dëshmojë angazhimet, vlerat dhe të dëshmojë se ka qenë aktiv dhe ka dhënë rezultate konkrete. Edhe Ministri Rexhepi ka gatishmëri të dalë para Kuvendit dhe të tregojë punën që është bërë. Në mandatin e kaluar, MPJ’në e ka udhëhequr LDK’ja dhe tash Ministri Hoxhaj është duke u përballur ende me mospunën dhe problemet që i ka trashëguar nga paraardhësi i tij”, ka thënë Grabovci.
Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës janë mbajtur disa interpelanca të Qeverisë, kurse e fundit ka qenë ajo e Ministres Mimoza Kusari-Lila për çështjen e tarifës për çimento.
Edhe Edita Tahiri është përballur me deputetët e Kuvendit për dialogun teknik me Serbinë dhe çështjen e të pagjeturve. Ndërsa kohë me parë, Shefi i Qeverisë ka pasur interpelancë me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket ndërtimit të autostradës Prishtinë-Merdar.