E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova dhe Japonia, kanë mision të njëjtë

Populli i Kosovës dhe ai i Japonisë kanë përkushtimin dhe misionin e njëjtë për të promovuar marrëdhënie dhe një botë paqësore, ka thënë zëvendësministri Parlamentar i Punëve të Jashtme të Japonisë, Kazuyuki Hamada, pas takimit që pati me Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Gjatë këtij takimi ministri Hoxhaj dhe zëvendësministri Hamada, nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin kulturor.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj deklaroi se dita e sotme, kur përfundon mbikëqyrja e pavarësisë, është një ditë historike kurse Japonia është një shtet që ka ndihmuar fuqishëm ndërtimin e një Kosove të re dhe moderne.

“E bëjmë shkëmbimin e notës verbale, për hyrjen në fuqi të një marrëveshje, e cila ka pikësynim ta mbështesë filarmoninë e Kosovës me instrumente muzikore. Është pjesë e ministrisë së Punëve të Jashtme që kulturat dhe identiteti i Kosovës të jetë i mbështetur nga partneret tanë, sikurse është Japonia”, ka thënë Hoxhaj.

Kurse, zëvendësministri Parlamentar i Punëve të Jashtme të Japonisë, Kazuyuki Hamada tha se Japonia ka pasur nderin për të qenë pjesë e përpjekjeve historike të popullit të Kosovës, për të siguruar pavarësinë dhe rrugën e së ardhmes drejt shtet ndërtimit paqësor dhe të suksesshëm.

“Kosova dhe Japonia gjeografikisht janë larg, por sipas meje, populli i Kosovës dhe populli i Japonisë kanë përkushtimin dhe misionin e njëjtë për të promovuar marrëdhënie dhe një botë paqësore. Ne i dimë vështiruesit që ballafaqohet Kosova dhe kemi respekt për popullin e Kosovës, pas procesit të rëndësishëm dhe kemi nderin të jemi prezent në një ditë historike për Kosovën dhe të forcojmë marrëdhëniet dhe kemi nderin të realizojmë këtë marrëveshje për bashkëpunim kulturor”, ka thënë Hamada.

Sipas tij, shkëmbimi kulturor i inspiruar nga muzika dhe arti, do të ishte një ndikim me universal në marrëdhëniet e dy vendeve në të ardhmen.

Ai shtoi se Qeveria japoneze do të vazhdojë bashkëpunimin dhe asistencën ekonomike dhe teknike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›