E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëme të mëdha nga vërshimet në Klinë dhe Skenderaj

Oborri i shtëpisë së Ramiq Hotit nga fshati Zajm, komuna e Klinës, ngjan në një liqe të ndotur që arrin thellësinë deri në një metër e gjysmë.

Vërshimet e fundit nga të reshurat e pandërprera të shiut, kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale për familjen e tij. E, në pamundësi për t’i shpëtuar nga sasia e madhe e ujit, Ramiq Hotit i kanë ngordhur 30 pula, një lopë dhe viçi, që ende vazhdojnë të jenë në oborrin e shtëpisë. Kati i parë i shtëpisë gjashtë anëtarëshe të kësaj familjeje nuk është më i banueshëm, aty gjithçka është e dëmtuar. E njëjta pamje mbretëron edhe në shtëpitë tjera të lagjes Hot në fshatin Zajm, raporton KTV.

Banorët e Zajmit varen nga puset për ujë të pijshëm dhe për nevoja higjienike, pasi që aty nuk ka ujësjellës, e halleve të tyre u është shtuar edhe mungesa e ujit. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetari i komunës së Klinës Sokol Bashota, si dhe ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, e vizituan fshatin Zajm. Ata thanë se Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë masa që t’u dalë në ndihmë banorëve të prekur.Dëmet janë të konsiderueshme edhe në komunën e Skënderajt dhe arsye kryesore e gjendjes së rënduar në qytet, është dalja nga shtrati e lumit “Klina”.

E dëmtuar ka mbetur edhe qendra e qytetit ku deri sot banorët nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre. Lokalet kanë qenë të zhytura në ujë dhe banorët nuk po kanë mundësi të fillojnë punën. Mehdi Neziri ka arritur që sadopak të pastrojë lokalin e tij që merret me shitjen e televizorëve, por akoma nuk ka filluar punën, sepse gjysma e mallit të tij është prishur. Edhe qytetarë të tjerë kanë komentuar vërshimet e ditës së enjte.

Edhe pse niveli i ujit ka rënë dukshëm, gjendja është e rënduar në qytet, sidomos te stacioni i autobusëve, i cili aktualisht është jashtë funksionimit. Ndërkohë, në fshatin Izbicë të kësaj komune është bërë varrimi i tetë vjeçares Gresa Osmani, që humbi jetën të enjten si pasojë e vërshimeve. Gresa Osmani dy net më parë kishte rënë në një përrua, derisa ishte duke u kthyer nga shkolla./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›