Dëmet e tërmetit i kalojnë parashikimet
Autoritetet kineze pohojnë se shkatërrimi në epiqendrën e tërmetit në Siçuan është i përmasave më të mëdha nga sa pritej.Zyrtarët kinezë thonë se kanë vdekur të paktën 12 mijë persona. Dhjetëra mijë të tjerë njoftohet të jenë ngujuar nën rrënojat e ndërtesave.
Moti i keq po i pengon përpjekjet për shpëtimin e të mbijetuarve të tërmetit më të fortë që ka goditur Kinën në 30 vjetët e fundit.
50 mijë trupa të ushtrisë janë dërguar në krahinën e goditur nga tërmeti për të kërkuar të mbijetuarit dhe për të shpërndarë ndihma. Për të mbikqyrur operacionin atje ka shkuar edhe kryeministri i vendit.
Në qytetin Yingxiu, një ekip i ushtrisë ka dëgjuar të qara nën rrënoja. Ushtarët kanë gjetur vetëm dy mijë e treqind të mbijetuar nga dhjetë mijë banorët e qytetit.
Rreshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut që ka bllokuar rrugët, ndërsa retë e ulëta kanë vështirësuar fluturimet me helikopterë.
Një zëdhënës i ministrisë kineze për çështjet civile tha se punonjësit e shërbimeve të urgjencës po përballen me shumë sfida, por shtoi se nuk duhej humbur shpresa për gjetjen e të mbijetuarve.