Interes për Paketën e Maleve, paraqiten kërkesat e para për investime në Tepelenë

Zhvillimi i turizmit në Tepelenë po sjell efekte konkrete në terren jo vetëm përmes rritjes së numrit të vizitorëve, por edhe me interesin në rritje nga ana e investitorëve.
Një ndër nismat që po nxitet së fundmi është “Paketa e Maleve”, një projekt i lançuar disa kohë më parë nga kryeministri Edi Rama, që synon shfrytëzimin e potencialeve natyrore të zonave malore për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe agroturizmit.
“Interesi për zhvillimin e bujtinave apo agroturizmit në tërësi reflektohet edhe në kërkesat që janë paraqitur pranë autoritetit vendor për pajisjen me lejet përkatëse apo për shprehjen e interesit në zona të caktuara. Ky është një tregues pozitiv dhe motivues për rikthimin sërish te jeta komunitare dhe jeta e fshatit,” thotë Aleks Toti, përfaqësues i Bashkisë Tepelenë.
Në Bashkinë e Tepelenës janë paraqitur kërkesat e para konkrete për marrjen në përdorim të tokave në zona malore me qëllim investimi në bujtina, agroturizëm dhe guida natyrore.
Autoritetet vendore po i shqyrtojnë këto aplikime, ndërsa theksojnë se prioritet do t’u jepet projekteve që respektojnë mjedisin dhe ofrojnë zhvillim afatgjatë.
/rtsh.al/