E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmi prej 100.000 $, KLSH padi Drejtorisë së Agjencisë së Teknologjisë e Inovacionit

TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shteti kallëzon në Prokurori Drejtorinë e Agjencisë së Inovacionit, pasi me shkeljet e bëra i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar prej 100.000 dollarë.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat KLSH nënvizon se gjatë auditimit të kryer, për periudhën 01/03/2010 deri më 30/09/2012”, u konstatuan dhe mjaft parregullsi dhe shkelje të legjislacionit, me pasojë edhe dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit.

“ Nga auditimi në 3 (tre) projekte në bashkëpunim me subjekte private, nga 50 të miratuara gjithsej(prej të cilave 4 me subjekte private dhe të tjerat me institucione publike), u zbuluan parregullsi dhe shkelje të ligjshmërisë, me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 10,724 mijë lekë. Konkretisht:a. Projekti “Model Kodi i prodhuesve të ujit”, vlera e dëmit 8,015,000 lekë b. Projekti “Studimi kombëtar mbi delinkuencën”, vlera e dëmit 1,613,000 lekë c. Projekti “Modeli parashikues për sezonin polenik të disa bimëve alergjizuese”, vlera e dëmit 1,098,000 lekë. Parregullsi dhe mungesë e dokumentacionit justifikues në shpenzimet e kryera në valutë për udhëtime e dieta jashtë vendit. Mosmiratim i Rregullores së Brendshme të funksionimit të Agjencisë. Për veprimet e kryera prej tij, me pasojë dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit në vlerën 10,724,000 lekë dhe keqmenaxhim të thellë të Agjencisë, KLSH, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedures Penale ka bërë me dt. 3103.2013 kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të AKTI, Y. P., për konsumim të veprës penale "Shpërdorim të detyrës", të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. ”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e KLSH. 

Për përmirësimin e gjendjes dhe mënjanimin e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhmen, KLSH i ka rekomanduar Bordit Drejtues të AKTI-t 11 masa të karakterit organizativ, 4 masa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar dhe 2 masa disiplinore, përkatësisht: "Shkarkim nga detyra" për Drejtorin e Përgjithshëm i AKTI Y.P. dhe "Largim nga Shërbimi Civil" për Drejtorin e Drejtorisë së Programeve Kombëtare në AKTI, E.A.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›