E Diel, 1 Nëntor 2026

Demo: 2,5 milionë euro grant për bashkitë që performojnë më mirë

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Bashkitë që performojnë më mirë dhe ofrojnë rezultate konkrete për qytetarët do të kenë më shumë mbështetje financiare përmes Grantit të Performancës, bëri të ditur sot ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demo njoftoi se këtë vit fondi i Grantit të Performancës arrin në 2,5 milionë euro, me synim përqendrimin e financimit te bashkitë që tregojnë rezultate më të mira në ofrimin e shërbimeve publike.

“Me 2,5 milionë euro Grant Performance, po vendosim edhe më fort fokusin aty ku duhet: te shërbimet që qytetarët prekin çdo ditë – çerdhe e kopshte më të mira, më shumë shërbime sociale, qytete më të pastra dhe bashki më të përgjegjshme”, u shpreh Demo.

Sipas ministrit, fondi do të mbështesë përmirësimin e shërbimeve për fëmijët në çerdhe dhe kopshte, forcimin e shërbimeve sociale, përmirësimin e pastërtisë dhe menaxhimit të mbetjeve, si dhe kujdesin për pyjet dhe territorin.

Nga fondi total, 2 milionë euro financohen nga buxheti i shtetit, ndërsa 500 mijë euro financohen nga partnerët zviceranë dhe suedezë, të cilët, sipas Demos, kanë mbështetur fuqimisht ndërtimin e këtij mekanizmi.

Demo theksoi se Granti i Performancës nuk është thjesht një mekanizëm financimi, por një incentivë për bashkitë që të përmirësojnë punën dhe të japin rezultate konkrete për komunitetet.

“Puna e mirë matet, rezultatet shpërblehen”, u shpreh ministri, duke nënvizuar se objektivi është forcimi i qeverisjes vendore dhe përmirësimi i shërbimeve që qytetarët marrin çdo ditë.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›