Demo: Berati model për menaxhimin e mbetjeve, 123 tonë të ricikluara në 9 muaj

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, së bashku me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, përfaqësues të Ambasadës suedeze dhe drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), vizituan qendrën e riciklimit të mbetjeve në qytetin e Beratit për të parë nga afër rezultatet e para të një projekti unik dhe inovativ në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
Ky projekt pilot, i mbështetur nga qeveria suedeze dhe i menaxhuar 100% nga bashkia Berat, ka arritur të grumbullojë 123 tonë mbetje të riciklueshme në vetëm 9 muaj, nga të cilat gjysma tashmë janë të shitura.
Ministri Demo e cilësoi projektin si një histori suksesi dhe theksoi rëndësinë e modelit “derë më derë” të aplikuar në lagjen historike “Goricë”, ku qytetarët janë bërë pjesë aktive e procesit.
“Tradita dhe inovacioni mund të ecin dorë për dore. Ky është një hap i parë konkret drejt një ekonomie qarkulluese dhe një Shqipërie më të pastër, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Demo.
Projekti i Beratit vjen në një moment kur kapitulli i negociatave për mjedisin në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE ka marrë një rëndësi të veçantë, duke e bërë këtë model një shembull që mund të shërbejë për të gjithë vendin.
/e.xh//r.e/a.f/