Demo: Infrastrukturë pa kabllo ajrore, projekti i ri për pamjen dhe sigurinë urbane

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot se platforma e re e krijuar për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), hap një proces të rëndësishëm për pushtetin vendor dhe mënyrën se si do të ndërtohen qytetet e së ardhmes.
Gjatë një takimi me përfaqësues të bashkive, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi dhe drejtuesi i AKEP, Gentian Sula, Demo theksoi se në muajt e fundit është diskutuar nevoja që bashkitë të hyjnë në një fazë të re zhvillimi, në funksion edhe të procesit të integrimit europian.
Sipas tij, ky synim përfshihet edhe në programin “Rilindja 2.0”, puna për të cilin ka nisur dhe që pritet të prezantohet së shpejti së bashku me kryetarët e bashkive. “Në thelb, programi synon përmirësimin e cilësisë së hapësirave publike, funksionalitetit të qyteteve, forcimin e identitetit lokal dhe përafrimin me standardet europiane në zhvillimin e territorit”, u shpreh Demo.
Demo nënvizoi se zhvillimi i bashkive nuk mund të shihet si një seri ndërhyrjesh të veçuara, por si një proces i integruar ku infrastruktura, shërbimet dhe financimet ecin paralelisht.
Ministri Demo evidentoi dy prioritete kryesore: modernizimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike dhe rritjen e kapaciteteve të bashkive për hartimin e projekteve cilësore që mund të përfitojnë më shumë fonde nga Bashkimi Evropian.
“Në këto tri dekada Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në zhvillimin e rrjeteve të komunikimit. Sot qytetarët, bizneset dhe institucionet kanë më shumë akses, më shumë lidhje dhe më shumë shërbime digjitale se kurrë më parë”, tha ai.
Megjithatë, Demo vuri në dukje se zhvillimi i shpejtë, kur nuk shoqërohet me standarde të qarta, ka sjellë edhe problematika që kërkojnë zgjidhje. Ai përmendi praninë e kabllove ajrore të vendosura pa standarde, shtyllave të improvizuara dhe instalimeve që ndikojnë negativisht në pamjen urbane dhe sigurinë publike.
“Sfida jonë është t’i vendosim këto rrjete brenda standardeve. Nisma për sistemimin e rrjeteve ajrore dhe kalimin drejt infrastrukturës tokësore është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim”, theksoi Demo.
Sipas Demos, në çdo zonë ku do të ndërhyhet, qëllimi nuk është vetëm përmirësimi i pamjes urbane, por vendosja e një standardi të ri ku infrastruktura të jetë pjesë e planifikimit urban dhe jo pasojë e tij.
Demo u shpreh se kjo nismë do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në qytetet shqiptare dhe do të kontribuojë në përmbushjen e standardeve të kërkuara në rrugën e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
/e.i/a.f/r.e/