E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Program i posaçëm për parkimet në të gjitha bashkitë e vendit

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria do të prezantojë një program të posaçëm për parkimet, i cili do t’u vihet në dispozicion të gjitha bashkive të vendit dhe do të shoqërohet me mekanizma të rinj financimi për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme.

Duke folur në takimin me përfaqësuesit e pushtetit vendor me temë “Më shumë standard në territor, më shumë koordinim dhe qytete më të rregullta në rrugën drejt Bashkimit Europian”, Rama u shpreh se programi do të ketë disa komponentë dhe do të detajohet në një konferencë të veçantë.

“Programi i parkimeve është një program i veçantë që ka disa komponentë që do t’i detajojmë në konferencën përkatëse dhe të gjitha bashkitë do ta kenë programin të shkruar me të gjithë komponentët”, deklaroi Kryeministri.

Kryeministri vuri në dukje se qeveria po punon për disa modele financimi të projekteve të parkimit, duke përfshirë investimet e drejtpërdrejta dhe partneritetet me pushtetin vendor.

“Për parkimet kemi disa formula. Përveç financimit direkt përmes ndërtimit të tyre përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe krijimit të partneriteteve me bashkitë, siç kemi disa raste të suksesshme, si ai i Beratit dhe Gjirokastrës, që kanë lehtësuar vizitat në këto qytete të trashëgimisë kulturore, kemi edhe një formulë tjetër për t’u mundësuar bashkive që të aksesojnë bankat me projekte specifike për ndërtimin e parkimeve”, u shpreh Rama.

Sipas tij, skema e re do të krijojë mundësi më të mëdha bashkëpunimi me sektorin privat, duke transformuar hapësirat që aktualisht përdoren në mënyrë informale për parkim.

“Bashkitë do të mund të bashkëpunojnë me subjektet private që do të ftohen të marrin pjesë në këto projekte, në territorin e atyre lagjeve që sot përdoren për parkime shqetësuese dhe ndotëse dhe ku faktikisht kanë të drejtën e pronës. Këto subjekte mund të angazhohen për të ndërtuar një infrastrukturë parkimesh shumë më fitimprurëse dhe shumë më miqësore me komunitetin”, deklaroi Kryeministri.

Rama theksoi se ndërhyrjet në infrastrukturën e parkimeve dhe në rrjetin e komunikimeve elektronike janë pjesë e përpjekjeve për të rritur standardet urbane, për të përmirësuar cilësinë e jetës në qytete dhe për të afruar më tej standardet e zhvillimit lokal me ato të Bashkimit Europian.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›