E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Rigjallërim i ish-zonave industriale, zgjerim të start-up-eve

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama prezantoi sot disa prej komponentëve të programit të qeverisë për “Më shumë standard në territor, më shumë koordinim dhe qytete më të rregullta në rrugën drejt Bashkimit Europian”, duke vënë theksin te zhvillimi i ish-zonave industriale, forcimi i ofertës turistike përmes muzeve lokale, mbështetja e start-up-eve dhe krijimi i kompanive të përbashkëta mes pushtetit vendor dhe sipërmarrjes.

Në takimin me përfaqësues të pushtetit vendor, Rama falënderoi kryetarët e bashkive që kanë bashkëpunuar me Ministrinë e Pushtetit Vendor për identifikimin dhe transformimin e ish-zonave industriale.

“Një tjetër element i rëndësishëm, dhe dua t’i falënderoj disa nga kryetarët e bashkive sepse kanë qenë aktivë në bashkëpunimin me Ministrinë e Pushtetit Vendor, është shtylla që lidhet me ish-zonat industriale”, tha Rama.

“Për ish-zonat industriale kemi një plan të qartë pune me bashkitë. Është bërë identifikimi i ish-zonave industriale që janë të braktisura dhe kemi gjithashtu modele të krijuara që na japin mundësinë se si do t’i zhvillojmë këto ish-zona industriale”, deklaroi ai.

Rama u ndal edhe te komponenti i muzeve lokale, duke e konsideruar zgjerimin e ofertës kulturore një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend.

Ai tha se deri tani është kryer një punë e rëndësishme për mbledhjen e informacionit nga bashkitë, të cilat do të kenë një rol aktiv në këtë proces.

“Për ne është shumë e rëndësishme, sepse është shumë e qartë se rruga jonë është rruga e ngjitjes në një nivel më të lartë të klasifikimit të vendeve turistike. Kjo nuk mund të jetë diçka e qëndrueshme nëse ne nuk e pasurojmë ofertën tonë turistike, ku muzetë e qyteteve janë një domosdoshmëri”, u shpreh Kryeministri.

Duke folur për mbështetjen e inovacionit dhe teknologjisë, Rama tha se qeveria do të zgjerojë programin e start-up-eve edhe në territore të tjera të vendit, përtej Tiranës.

“Kemi edhe programin për shtrirjen e start-up-eve në territore të tjera. Ne vëmë re që kemi një rritje të kërkesave në programin ‘Startups Albania’, për të cilin do të nxjerrim edhe një financim të ri në ditët në vijim, pasi kërkesat cilësore kanë qenë më të shumta se sa ishte parashikuar”, tha ai.

“Ajo që nuk mund të lihet në rënie të lirë është fakti që numri i aplikimeve është shumë i çekuilibruar, me Tiranën që zë pjesën e luanit dhe bashkitë e tjera shumë më pak. Kjo është edhe një çështje informacioni për të nxitur dhe sensibilizuar të rinjtë, pasi ju e dini mirë se në bashkitë tuaja ka të rinj të talentuar që i janë përkushtuar teknologjisë”, deklaroi Rama.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri u ndal te nisma për krijimin e kompanive të përbashkëta, të cilat sipas tij tashmë kanë hyrë në një fazë konkrete zbatimi.

“Kompanitë e përbashkëta kanë filluar dhe janë në një proces. Kemi tashmë një sërë bërthamash të krijuara, kemi kompani të përbashkëta mes njësive të pushtetit vendor dhe fermerëve apo sipërmarrësve në fshat”, tha Rama.

Ai shtoi se kjo nismë do të ecë paralelisht me programin e ri “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili së shpejti do të hapet për shprehje interesi.

“Këto pika i sjell në vëmendje pasi janë të rëndësishme dhe kërkojnë angazhimin tuaj, së bashku me Ministrinë, për të bërë të mundur që manifesti i Rilindjes 2.0, që do të publikohet në konferencën kombëtare me qeverinë, pushtetin vendor dhe aktorë të tjerë, të jetë sa më i plotë dhe të gjithë ta gjejnë veten me objektivat e tyre”, përfundoi Rama.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›