E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Demo: Konsolidohet piktura murale në katin e sipërm në Muzeun “Onufri”

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ Mirëmbajtja dhe kujdesi ndaj trashëgimisë kulturore është pjesë e përditshme e punës në Muzeun Kombëtar të Ikonografisë “Onufri”.

Restauratori i Muzeut “Onufri”, Erion Lezi ka kryer procesin e konsolidimit të pikturës murale në hapësirën e katit të sipërm në Muzeun “Onufri”.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale momente nga puna për konsolidimin e pikturës.

“Në pikturë paraqitej plasaritje jo kritike të murit mbi të cilin është realizuar piktura e shek. XIX-XX. Injektimi i konsolidantit nëpër plasaritje dhe mbushja e xhepave bosh parandalojnë dëmtimin nga faktorë të ndryshëm dhe e bëjnë jetëgjatë këtë pasuri kulturore”, tha Demo.

Koleksioni i Muzeut Kombëtar “Onufri” përbëhet nga 200 objekte të përzgjedhura nga fondet e kishave dhe manastireve të rrethit të Beratit. Ai përbëhet kryesisht nga ikona dhe një grup objektesh liturgjike.

Veprat e këtij muzeu datojnë nga më të vjetrat të shekullit XIV deri në fillim të shekullit XX. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku, Adam Kristo si dhe piktorët me mbiemër Çetiri (Gjergji, Joani, Nikolla, Naumi, Gjergji i riu dhe Ndini), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë.

1 nga 5

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›