E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sako: Përfundon verifikimi i dëmeve në 273 shtëpi, procesi vazhdon

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ka bërë me dije sot se ka përfunduar verifikimi i dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut në 273 banesa, ndërsa procesi vijon ende.

Në një postim në rrjetet sociale, Sako tha se “gjatë gjithë ditës grupet e punës së bashkisë së Durrësit kanë punuar për evidentimin e dëmeve nëpër banesa. Vetëm ditën e sotme ka përfunduar konstatimi i dëmeve në 173 banesa. Ndërkaq në dy ditë që grupet kanë punuar, janë verifikuar dëmet në 273 shtëpi gjithsej, ndërkohë që procesi vijon”.

Bashkia e Durrësit ka ngritur 13 grupe specialistësh për të verifikuar në terren dëmet e shkaktuara nëpër banesa, nga situata e krijuar nga reshjet e dendura.

“Uji ka hyrë në rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë në zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtëpi në Rrashbull”, tha Sako një ditë më parë.

Reshjet e shiut përfshinë qytetin bregdetar të Durrësit duke sjellë probleme në disa zona.

Nga puna në terren e grupeve të bashkisë Durrës për të verifikuar dëmet nga reshjet e shiut 1 nga 19

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›