Demokracia e Re në vend të parë, grekët zgjedhin eurozonën
Radikalët grekë humbën zgjedhjet, Aleksis Tsipras uron Samaras: Do të jemi një opozitë e denjë.
Samaras, Kryeministri i ri grek: I lehtësuar për Greqinë e Europën.
Grekët kanë zgjedhur masat e kursimit përkundër daljes nga eurozona, duke evituar kështu edhe skenarin e shkrirjes së monedhës së përbashkët europiane.
Këto ishin votimet më kritike për Greqinë në shumë dekada. Vendi rrezikonte të qeverisej nga një parti që ishte shprehur e prerë në refuzimin e memorandumit me BE-në dhe FMN-në, duke nxitur deklarata të forta nga kreditorët ndërkombëtarë, se refuzimin për të zbatuar reformat do të çonte në prerjen e fondeve e rrjedhimisht falimentimin e Greqisë dhe daljen e saj nga eurozona. Vendi kishte para deri për muajin korrik. Memorandumi, i cili është termi i përdorur për masat e ashpra të kursimit që kanë kërkuar kreditorët ndërkombëtarë në këmbim të huas së tyre për qeverinë greke, është mbështetur nga dy partitë të mëdha greke, Demokracia e Re e Antonis Samaras dhe PASOK e Evangelos Venizelos, e cila ishte lidere para zgjedhjeve të 6 majit, kur doli forcë e tretë politike. Por tani, edhe këto dy parti të cilat i mbështetën masat e kursimit, thonë se do të kërkojnë lehtësimin e tyre. Deri në ditën e fundit të votimit, zyrtarë të BE-së dhe mediat europiane u kanë bërë thirrje të drejtpërdrejtë grekëve për të votuar Demokracinë e Re dhe jo partinë Syriza të Aleksis Tsipras, e cila do të nxirrte vendin nga euro. Sondazhet e shumta kanë treguar se grekët edhe pse i urrejnë masat e kursimit, kishin dëshirë të qëndronin brenda eurozonës.
Rezultati
Rezultatet treguan një fitore të ngushtë të Demokracisë së re dhe lideri i Syriza-s e pranoi humbjen. Njeriu që do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Greqisë, Antonis Samaras, u takua në sheshin Sintagma me mbështetësit e tij që brohorisnin dhe tundnin flamujt grekë. Ai deklaroi fitoren, shprehu falënderimet për popullin grek dhe tha se do të punojë për ti kthyer atij prosperitetin dhe zhvillimin. Samaras deklaroi për mediat se lideri i Syriza-s e ka telefonuar atë dhe e ka uruar për fitoren, duke ia bërë të qartë se do të jetë në opozitë dhe nuk do të përfshihet në koalicionin qeveritar. I pyetur nga BBC nëse ai ia kishte frikës Syriza-s në opozitë, Samaras tha se shpresonte që ata do të ishin një opozitë e drejtë.
Incidente
Gjatë votimeve në Greqi një kuti me vota u dogj në një qendër votimi në Athinë, sipas mediave greke. Nuk është ende e qartë nëse votimi do të kryhet edhe një herë në këtë qendër, shkruan zv. kryeredaktori i gazetës Kathimerini në gjuhën angleze, Nik Malkoutzis. Në këtë incident u raportua se u plagosën dy policë.
Ndërkohë në rrethinat e Athinës ka pasur vatra të mëdha zjarri.
Zjarret e pyjeve në pjesën jugore të Greqisë duket se po ulen, por erërat e forta tregojnë se rreziku nuk është larguar ende.
Ndërkohë, mëngjesin e ditës së zgjedhjeve, dy granata u gjetën jashtë zyrave të Sky TV afër Pireut. Policia ka konfirmuar se ato ishin funksionale, por asnjëra prej tyre nuk ka shpërthyer. Dikush po përpiqet të shqetësojë atmosferën zgjedhore, por përpjekjet e tyre do të dështojnë, tha zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tsiodras, duke shtuar se Demokracia nuk mund të terrorizohet.
Rezultatet
Demokracia e Re – 29.5 për qind
Syriza 27.1 për qind
PASOK 12.3 për qind,
Grekët e pavarur - 7.6 për qind
Agimi i Artë – 7 për qind
E majta demokratike - 6.2 për qind
Komunistët – 4.5 për qind
Samaras
Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, ka mbajtur një fjalim në qendër të Athinës. Ai e hapi fjalimin e tij duke thënë: Populli grek ka votuar për një të ardhme europiane për Greqinë. Nuk do të ketë dyshime për pozicionin e Greqisë në Europë. Populli ynë na ka nderuar me votën e tij dhe unë do të doja ti falënderoja nga zemra të gjithë, vazhdoi Samaras. Jam i lehtësuar. Jam i lehtësuar për Greqinë dhe për Europën. Do ta formojmë qeverinë sa më shpejt, ka theksuar ai.
Tsipras
Aleksis Tsipras, lideri i Syriza, i ka telefonuar Antonis Samaras, liderit të Demokracisë së Re, për ta uruar atë për fitoren. Rezultatet zyrtare dhe jozyrtare kanë treguar fitoren e Demokracisë së Re dhe Tsipras duket se e ka pranuar këtë rezultat. Zyrtarë të Syriza-s kanë deklaruar se rezultatet që kanë arritur në këtë votim konsiderohen si fitore për këtë parti dhe do ti lejojnë asaj të luajë një rol të fortë në opozitë.
Zërat për koalicionin
Lideri i socialistëve të PASOK, Evangelos Venizelos, tha në TV se Greqia duhet të formojë një qeveri nesër dhe Syriza duhet të jetë pjesë e saj. Por, zyrtarë të Syriza-s thanë se partia e tyre nuk do ti bashkohet koalicionit të drejtuar nga Demokracia e Re. Demokracia e Re, meqë doli partia e parë në zgjedhje merr edhe një bonus prej 50 ulësesh në Parlament, por sërish ajo nuk e ka shumicën për të qeverisur e vetme dhe i duhet një koalicion me PASOK dhe mundësisht të Majtën Demokratike.
Lehtësime për kursimet
Gjermania është shprehur e gatshme për të diskutuar dhënien e më shumë kohe për Greqinë, për sa i përket shlyerjes së detyrimeve të saj dhe rrjedhimisht zbatimit të reformave. Ky vendim do të sillte mbase një lehtësim për masat e ashpra të kursimit që nuk mbështeten nga populli grek dhe kanë rrezikuar qeverisjen e Greqisë nga radikalët. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, tha se Gjermania mund të jetë elastike mbi afatet e reformave që Greqisë i duhet të bëjë për masat e saj të kursimit, por jo të rinegociojë të gjithë marrëveshjen: Nuk mund të ketë ndryshime themelore në angazhime. Por, ne mund të diskutojmë përsëri një shtyrje afati, por jo ndryshim të reformave, tha Vestervelle. Greqia duhet të përmbushë atë për të cilën ne kemi rënë dakord. Nëse ne i themi Greqisë, nuk ka problem për marrëveshjet që kemi bërë deri tani, atëherë do të kishim probleme me të gjitha vendet e tjera të eurozonës dhe po zbatojnë reformat e tyre, tha ministri gjerman. Ndërkohë që Greqia votonte, kancelarja gjermane, Angela Merkel, e vonoi nisjen e saj për në Samitin e G20 në Meksikë me rreth 12 orë, sipas deklaratës së një zyrtari gjerman në Reuters, por nuk u detajua arsyeja e kësaj vonese.