Integrimi, BE ka 3 kushte të reja për Serbinë?
Bashkimi Evropian i ka vënë tri kushte të reja Serbisë për fillimin e negociatave për anëtarësim, shkruan e përditshmja serbe Politika.
Duke cituar burime jozyrtare nga Beogradi Politika transmeton se shefi i diplomacisë sllovake, Mirosllav Lajçak, së fundi i ka paraqitur tri kushte të reja qeverisë serbe.
Krahas kërkesës për heqjen e institucioneve në veri (me këtë mendohet në shkolla, shtëpitë e shëndetit dhe spitalet), ka kërkuar hapjen e përfaqësisë në Beograd, përkatësisht në Prishtinë, si dhe takimin e nivelit të lartë mes dy kryeqyteteve, shkruan gazeta, duke shtuar se BE ka kërkuar nga Serbia që të shuajë gjykatat paralele në Mitrovicë dhe instalimin e numrave të veçantë të telefonave për Kosovë.
Një ditë më parë, shefi i ekipit serb negociator, Borko Stefanovic, tha se në kuadër të dialogut asnjëherë nuk është përmendur hapja e zyrës së Kosovës në Serbi dhe anasjelltas.
Ndërkohë, ministri në largim i Kosovës në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic është cituar të ketë thënë se nuk ka kushte të reja për Serbinë. (rel)