E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokracia në rritje në kontinentin afrikan

Gazeta Shqip

A man reads the morning edition of a newspaper showing provisional results for the two main presidential election contenders in the Kibera slum of NairobiPërmirësimi i ekonomisë po sjell më pak trazira dhe më shumë përfaqësim politik

Reuters Afrika po rritet jo vetëm në grafikët e ekonomistëve. Kontinenti që njihej për varfëri, kaos dhe gjakderdhje deri pak dekada më parë, duke ushqyer uri dhe luftëra, ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme ka shënuar përmirësime edhe në drejtim të demokracisë.

Zgjedhjet e muajit të kaluar në Kenia, të cilat kaluan në klimë përgjithësisht paqësore si dhe procesi ligjor që konfirmoi fitoren e ngushtë të Uhuru Kenyatta e hoqi frikën se ekonomia më e madhe e Afrikës Lindore do të zhytej sërish në kaos siç pati ndodhur gjatë zgjedhjeve të vitit 2007.

Votimet në Kenia pasuan zgjedhjet shumë të kontestuara, por relativisht të qeta në Senegal, Sierra Leone dhe Ghana. Të gjitha këto lajme kanë fuqizuar mendimin se Afrika po ecën drejt demokracisë multipartiake.

Kombinuar kjo me një menaxhim ekonomik më të mirë nga shumë qeveri, si dhe nga rritja e shpejtë e popullatës së punëtorëve e konsumatorëve të rinj, ky përmirësim në maturitetin politik pritet të fuqizojë edhe më tej rritjen ekonomike, e cila për rajonin e Nën-Saharasë parashikohet në masën 5 për qind këtë vit.

Nëse shikon me vëmendje, ngritja e Afrikës nuk qëndron thjesht te ekonomia, thotë John Stremlau, Zëvendëspresident i Programeve të Paqes në Qendrën Karter me bazë në Atlanta, një vëzhgues i vjetër i zgjedhjeve në Afrikë.

Në një parashikim të dhënë në dhjetor për Afrikën Nën-Sahariane, agjencia e vlerësimit të rrezikut Fitch, tha se zgjedhjet në Kenia janë pika e referencës më e rëndësishme për shkak se ky vend është baza ekonomike e Afrikës Lindore.

Pavarësisht problemeve teknike dhe disa ngjarjeve të dhunshme, Kenia e kaloi këtë test pa përsëritur gjakderdhjen e viteve 2007-2008, kur vdiqën më shumë se 1200 vetë. Ekonomisti Simon Freemantle thotë se zgjedhjet në Kenia i shtohen një liste zgjedhjesh në vende të ndryshme afrikane ku udhëheqësit aktualë kanë pranuar humbjen, si në rastin e Zambias apo Senegalit, apo ku sfiduesit që kanë humbur e kanë pranuar rezultatin përmes betejave ligjore.

Momenti aktual është absolutist pozitiv… këta janë shembuj nga vende shumë të ndryshme… të ndryshme gjeografikisht, historikisht dhe nga pikëpamja kulturore dhe që të gjitha tregojnë shenja për maturitet politik, i tha Freemantle agjencisë Reuters.

Ai vërejti gjithashtu se pavarësisht lajmeve pozitive, demokracia nuk është një forcë që po zhvillohet në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë kontinentin dhe në shumë raste, demonët e vjetër nuk janë larguar ende.

Narrativa e Afrikës në shumë mënyra nuk është një ngjarje me një linjë tregimi. Është shumë komplekse, tha ai. Një kryengritje e suksesshme në Republikën e Afrikës Qendrore muajin e kaluar qe shenja e fundit e destabilitetit në rajon. Kjo goditi edhe Afrikën e Jugut, që ëndërron të bëhet superfuqia e rajonit, pasi humbi 13 ushtarë në përpjekjen për të ruajtur pushtetin e qeverisë së pranuar nga bota.

Ndërhyrja energjike ushtarake e Francës në ish-koloninë e vet Mali, në janar, mposhti një grup kryengritësish të përzier dhe me lidhje me Al Kaedën, por në të njëjtën kohë shtoi frikën për një valë xhihadizmi islamik në veri dhe në perëndim të Afrikës, jo së paku në Nigeri ku qeveria po lufton me një kryengritje në veri të vendit.

Republika Demokratike e Kongos mbetet vendi më i destabilizuar i Afrikës dhe një kryengritje në mars e vuri edhe një herë në dukje historinë e dhimbshme të gjigantit të Afrikës Qendrore.

Në Mozambik, një goditje nga rebelët këtë javë vrau katër policë dhe riktheu shqetësimin për luftën civile të këtij vendi që po rigjallërohet nga industria minerare.

Pavarësisht lajmeve negative, vëzhguesit e Afrikës thonë se kontinenti në mënyrë bindëse po kalon përmes një faze ku ndryshimi i qeverive nuk kryhet më me armë, por me vota.

Një vrojtim i kryer nga Ernst & Young thotë se mes viteve 1960, koha kur Afrika fitoi pavarësinë dhe viteve 1990, ka pasur vetëm një rast kur një udhëheqës në këtë rajon është rrëzuar përmes votave. Por tashmë situata po ndryshon. Pas gjashtëdhjetë viteve të kaluara me luftëra, duket se kontinenti po ecën drejt stabilitetit dhe mirëqenies.

Demokracia në rritje në kontinentin afrikan burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›