Totozani, policisë: Mos e ndiqni këmba-këmbës Skënder Tufën
Avokati i Popullit: Po shkelni ligjin me ish të përndjekurit politikë
Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka kërkuar kreut të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Tiranës që të ndalin shoqërimet në komisariate dhe përndjekjet e katër ish të persekutuarve politikë në 24 orë në 24, që prej tetorit të vitit të kaluar. Sipas Totozanit, veprimet e policisë janë në kundërshtim të hapur me ligjin, duke shkelur të drejtat e të përndjekurve, Skënder Tufës, Fatmir Lloçit, Petrit Lipos dhe Besim Valterit. Një gjë të tillë, Avokati i Popullit e kishte kërkuar disa ditë më parë, ku krerët e policisë mohojnë faktin e përndjekjes. Ditën e djeshme, ai u ka dërguar një tjetër kërkesë, për të kërkuar ndaljen e përndjekjeve, shoqërimeve dhe shkeljen e të drejtave të 4 personave të lartpërmendur, pasi në të kundërt do të propozojë masa të rrepta ndaj tyre. Zoti drejtor! Ndonëse nga ana juaj nuk pranohet fakti që Skënder Tufa, Fatmir Lloçi, Petrit Lipo dhe Besim Valeri janë mbajtur në vëzhgim nga strukturat e organit që ju drejtoni, ju bëjmë me dije se ata janë mbajtur në vëzhgim 24 orë në 24 nga punonjësit e policisë kriminale të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë. Kjo gjë është provuar në tre raste nga stafi i Avokatit i Popullit, ndërsa në njërin prej këtyre rasteve edhe personalisht nga vetë Avokati i Popullit. Ky rast ka ndodhur në datën 01.03.2013, në momentin që ankuesi dhe dy shokët e tij ishin paraqitur në institucionin tonë për të bërë ankesë për këtë shqetësim. Nga verifikimi i bërë në këtë rast rezultoi se ata mbaheshin në vëzhgim nga dy punonjës të policisë kriminale, të cilët u identifikuan me saktësi nga ana jonë. Ndërsa më datë 02.04.2013, Tufa erdhi në institucionin e Avokatit të Popullit për të bërë ankesë ndaj policisë, në lidhje me shkeljen e afateve të lejes për tubim, nga ana e ish të dënuarve politikë. Nga stafi ynë u konstatua se ankuesi mbahej në vëzhgim nga dy punonjës policie civilë, njëri prej të cilëve u afrua deri rreth 10-15m pranë zyrës tonë ku ankuesi hyri, ndërsa tjetri qëndronte në distancë më të largët. Gjithashtu, punonjësit tanë konstatuan se vëzhguesit vazhduan ta shoqëronin në distancë ankuesin edhe pasi ai u largua nga zyrat tona. Ka edhe mjaft raste të tjera që janë faktuar prej nesh. Ne vlerësojmë se, mbajtja në vëzhgim të hapur dhe në mënyrë të vazhdueshme e këtyre shtetasve është e kundërligjshme.
Gjithashtu, ekspertët tanë kanë arritur në konkluzionin se, shoqërimi në polici dhe në mënyrë të përsëritur i shtetasve Skënder Tufa dhe disa shtetasve të tjerë ish të dënuar politikë të regjimit komunist, është i kundërligjshëm, thuhet në shkresën zyrtare, drejtuar krerëve të Policisë së Shteti dhe Policisë së Qarkut të Tiranës. Sipas Totozanit, ish të përndjekurit politikë, nuk kanë shkelur asnjë rregull administrativ, për të cilën ata duhet të gjobiten apo të procedohen administrativisht. Përndjekja e tyre, nga policia ka cenuar rëndë të drejtën për të lëvizur lirisht në çdo pjesë të territorit të shtetit të garantuar me ligj, duke monitorizuar lëvizjet e tyre gjatë 24 orëve dhe shoqëruar ata herë pas here në ambientet e Komisariateve të Policisë Tiranë. Të gjitha këto veprime kanë si qëllim ushtrimin e një presioni fizik e psikologjik ndaj tyre nga strukturat shtetërore me qëllim që ata të heqin dorë nga veprimet reaguese e kritike ndaj qeverisë për pakënaqësitë që kanë për moszbatimin prej saj të të drejtave të tyre të parashikuara në aktet normative për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë. Ndërkohë, gjykojmë se ky qëndrim i policisë jo vetëm që shkel të drejtat kushtetuese e ligjore të shtetasve të përmendur më sipër, por në të njëjtën kohë dëmton rëndë imazhin dhe besimin e organit të Policisë në komunitet. Më 1 mars, të këtij ju kam rekomanduar që të ndërprisni veprimet e kundërligjshme, të cilin nuk e keni zbatuar. Ju bëj me dije se në bazë të disa neneve Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga administrata publike. Gjithashtu ai i propozon çdo organi, si dhe Kuvendit, shkarkimin e funksionarëve që janë kompetencë e tyre, kërcënon Totozani.
Reagimi
Pas këtij rekomandimi, Skënder Tufa ka reaguar, duke pohuar se prej 7 muajsh, përndjekja e tyre nga policia, nuk është ndërprerë për asnjë moment dhe situata është bërë mjaft e rëndë. Ne po përndiqemi në çdo minutë të ditës. Madje, Perikli Shqevi dhe Asllan Patrioti janë kthyer në pengje të politikës. Falënderojmë Avokatin e Popullit, për mbështetjen, por i kërkoj politikës dhe ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë, për të ndaluar përndjekjet. Jo më larg se sot, ne kemi vajtur te bunkeri që është simboli, por të përndjekurit politikë dhe rreth 100 policë kishin rrethuar vendin, për të na larguar. Ai bunker është gjaku i të gjithë neve. Kur shkojmë aty, policia bashkiake dhe e shtetit bëhet barrikadë. Sot (dje) na kanë larguar me dhunë nga ai vend, por jo vetëm kaq. Askush nuk na pranon në lokal, sepse kanë frikë prej shtetit. Njerëzit kanë frikë të flasin me të përndjekurit dhe askush nuk na afron. Gjithsesi, ne do ta mbajmë të tensionuar problemin, në lidhje me dëmshpërblimet, sepse e kemi detyrë, sidomos për Lirak Bejkon, shprehet Skënder Tufa.
S.Muça
Totozani, policisë: Mos e ndiqni këmba-këmbës Skënder Tufën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email