E Diel, 1 Nëntor 2026

Demokratët fillojnë dhunën elektorale, zyrat e PS shënjestër e kamikazëve

Militantët në detyrë, në javën e parë të çeljes së fushatës dhunojnë 6 zyra të PS
Veç propagandës së madhe për rritjen e mirëqenies në të gjithë vendin, forcat politike më të mëdha PD dhe PS po shkaktojnë edhe incidente në zona të ndryshme. Në të vërtetë, militantët duket se janë ndezur më shumë se kudo në Durrës dhe Korçë, ku kryesisht PD-ja po dhunon si në njerëz edhe në objekte përfaqësuesit e PS-së. Brenda ditës së djeshme, fushata elektorale ka shënuar dy incidente në Durrës dhe një në Korçë, ku si gjithnjë në kësi rastesh PS-ja nuk ka hezituar të akuzojë PD-në. Kështu, në Korçë, përsëritet brenda 48 orëve incidenti në zyrën elektorale të PS-së në fshatin Vashtëmi. Sërish persona të paidentifikuar nga policia kanë hequr gjatë orëve të natës së premte mbishkrimin ku shkruhet se është zyrë elektorale e PS. Ngjarja e cila është përsëritur pavarësisht hetimeve të policisë ka shokuar përfaqësuesit e majtë të subjektit politik në fjalë. Konstatimi është kryer gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm nga kryetari i PS-së së këtij fshati, Arif Arifi. Ky i fundit ka shkuar për të hapur zyrën dhe është përballur me heqjen e tabelës me mbishkrimin dhe logon e subjektit të PS-së. Sërish ky i fundit ka njoftuar komisariatin e policisë së Korçës, e cila ka nisur hetimet që shkojnë pas atyre të nisura tre ditë më parë me të njëjtin subjekt, dhe gati në mënyrë të pagabueshme si ka ndodhur herën e parë. Nga ana tjetër, dega e PS në Korçë ka reaguar për  ngjarjen duke e cilësuar si një veprim të qëllimshëm dhe nxitje të tensionit politik. Sekretari i PS-së për rrethin e Korçës, Muharrem Meko ka pohuar në deklaratën për shtyp se segmente të caktuara të PD-së në Vashtëmi janë duke nxitur një situatë tensioni, ndërkohë që PS sipas tij nuk bie pre e këtyre incidenteve të qëllimshme. Dega e PS-së në Korçë kërkon zbardhjen e këtyre ngjarjeve të njëpasnjëshme të cilat kanë mbetur pa autor, ndonëse ata janë në fshatin e lartpërmendur. Ndërkaq, dy incidente të tjera janë regjistruar ditën e djeshme në zonën e Durrësit. Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar posterin e kreut të PS-së, Edi Rama, në afërsi të stacionit të trenit në Durrës, ndërkohë që breshëri arme janë lëshuar mbi banesën e sekretarit të Partisë Socialiste në fshatin Rrushkull. Posterit të Ramës, i është thyer pjesa e xhamtë dhe më pas ai është grisur. Sipas sekretarit të PS-së për Durrësin, Gazmir Bizhga, incidenti i dytë ka ndodhur gjatë orëve të natës së premte. "Persona që ende nuk janë identifikuar, kanë qëlluar me breshëri automatiku në oborrin e sekretarit në Rrushkull, Selman Hysa", tha Bizhga, duke shtuar se një gjë e tillë ka prapavijë të pastër politike. Ai theksoi se ky është një shantazh i hapur që bëhet për zgjedhjet parlamentare. Për fat, nga të shtënat nuk ka pasur asnjë të lënduar dhe as dëmtime të shumta, pasi duket se ka qenë thjeshtë një formë presioni. Nuk dihet ende nëse Hysa do të bëjë denoncimin në polici. Këto janë incidentet e radhës në kulm të fushatës elektorale.
Incidentet e ditëve të fundit
Më 4 qershor
Vetëm 3 ditë më parë, incidenti i radhës në këtë fushatë elektorale është shënuar në fshatin Vashtëmi, pak kilometër larg qytetit të Korçës. Persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar zyrën elektorale të Partisë Socialiste, në këtë fshat. Burimet policore njoftuan se autorët kanë shkulur tabelën ku shkruhej Zyra Elektorale e PS-së. Uniformat blu kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të mbledhur provat e mundshme të hetimit, duke sqaruar se mendohet se ngjarja ka ndodhur pas mesnatës. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe të pranishëm edhe përfaqësues të OSBE-së, të cilët kanë nisur mbledhjen e informacioneve rreth asaj që ka ndodhur.
Më 2 qershor
Dhunohet zyra elektorale e PS-së në Shijak
Persona të paidentifikuar kanë tentuar të djegin zyrën elektorale të Partisë Socialiste në komunën Xhafzotaj, afër qytetit të Shijakut tek vendi i quajtur Katër rrugët, në qarkun e Durrësit. Policia e këtij qarku thotë se ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit. Nga të dhënat e para të hetimit mësohet se, autorët i kanë vënë flakën qepenit të zyrës elektorale si dhe kanë djegur flamujt që valëviteshin. Sipas kqyrjes së vendngjarjes, autorët e saj kanë derdhur benzinë duke tentuar që ta fusin atë brenda qepenit dhe më pas i kanë vënë asaj zjarrin në mënyrë që ta digjnin krejt zyrën. Por zjarri ka dëmtuar vetëm jashtë kësaj zyre duke djegur flamujt, e nuk ka mundur të depërtojë brenda zyrës së PS.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektiva të policisë si dhe grupi hetimor. Po kështu, për të parë nga afër ngjarjen e ndodhur ka shkuar edhe kandidati për deputet që kryeson listën për qarkun e Durrësit Blendi Klosi, sipas të cilit gjithçka ka ndodhur për arsye politike.
Më 2 qershor
Nis përplasja politike në juglindje, kryeplaku i PD rreh kreun e PS në Zëmblak. Parulla e majtë në muret e shtëpisë, objekt sherri për kundërshtarët politikë. Kryetari i PS së fshatit Zëmblak në rrethin e Korçës është rrahur barbarisht bashkë me kushëririn e tij të parë nga kryeplaku i fshatit, përfaqësues i PD. Shenjat e dhunës në trupat e dy socialistëve janë të shumta, ndërkohë që policia, e cila ka marrë informacion për ngjarjen, nuk ka nisur asnjë çështje penale. Fatos Hysaj, kryetar i PS në fshatin Zëmblak denoncoi publikisht dhunën fizike të ushtruar ndaj tij dhe kushëririt të parë. Shkak i saj është bërë një parullë pro PS, e shkruar në murin e shtëpisë së Hysajt, e cila ka nxitur reagimin e dhunshëm të kryeplakut të fshatit të lartpërmendur, shtetasit Bilal Mullalli.
Më 26 maj
Është thyer me mjete të forte hyrja e një zyre elektorale pranë Rrugës Don Bosko në kryeqytet. Zyra elektorale i përket Partisë Socialiste dhe është hapur disa muaj më parë në funksion të fushatës elektorale. Punonjësit partiakë të kësaj zyre konstatuan në mëngjes se dera kryesore prej xhami ishte thyer e gjitha me mjete të forta, ndërsa në ambientet e saj të brendshme nuk kishte sende me vlerë, që mund të bëheshin synim i ndonjë grabitjeje me thyerje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›