E Diel, 1 Nëntor 2026

PD, gjoba bizneseve deri në 5000 euro, për të mbushur arkën e fushatës

Në Vlorë ka filluar gjoba blu për zgjedhjet
Fondi i dhënë nga KQZ, për Partinë Demokratike të paktën në qytetin e Vlorës, duke se është i pakët në raport me paratë, që realisht do të harxhojnë të djathtët gjatë fushatës në këtë qark. Ky konkluzion është fare i kuptueshëm, kur njihesh me një fakt që këto ditë e kundërshtojnë pak vetë, vetëm drejtuesit e PD-së dega Vlorë. Në këtë qytet, është hapur një llogari bankare në njërën prej bankave, ku tregtarë të ndryshëm janë të detyruar të derdhin aty kontribute në shuma të majme lekësh, të cilat do të shkojnë në ndihmë të fushatës elektorale. Denoncimi i parë vjen nga kampi kundërshtar. Është vetë zëdhënësja e fushatës elektorale të PS-së, dega qytet, Evis Alushi që jo vetëm denoncon një fakt të tillë, por edhe i bën thirrje PD-së, që të mos vërë përpara detyrimeve të tilla ekonomike, tregtarët e qytetit. Ndër të tjera, mësohet se të parët që janë vënë përpara këtij detyrimi, janë tregtarët që operojnë përmes portit të Vlorës. Ata janë të detyruar që, përpara se të shkojnë të bëjnë zhdoganimin e radhës të mallit që kanë sjellë për llogari të biznesit të tyre, duhet të shkojnë dhe të likuidojnë atë që tashmë në qytet thirret taksa blu. Më pas, këta tregtarë janë të detyruar të bëjnë zhdoganimin e mallit. Por, kësaj takse nuk u janë shmangur dot edhe tregtarë të tjerë në qytet e deri tek pronarë hotelesh në vijën bregdetare. Ka prej tyre që tregojnë detaje të kësaj gjobe, por pasi marrin sigurinë se nuk do tu dal emri në gazetë, sepse siç thonë ata vetë na piu e zeza me biznesin pastaj. Është e vërtetë. Kam qenë te të dyja. Nuk ta tregojë shumën e derdhur, sepse pastaj më zbulojnë lehtë se kush jam dhe më falimentojnë biznesin, por këtë gjë e kemi bërë edhe në fushata të tjera elektorale. Kemi derdhur shuma të ndryshme edhe në 2005 edhe në 2007, kur ishin zgjedhjet lokale. Hajde mos derdh po deshe. Të vijnë pastaj ata të tatimeve dhe të bëjnë gjëmën, pohon njëri prej këtyre tregtarëve, që ka mbaruar punë edhe në numrin e llogarisë bankare për taksën blu edhe me zhdoganimin e mallit. Ndërkohë, që një tregtarë tjetër tregon se e ndjen detyrim edhe moral për ta bërë këtë derdhje të detyrueshme. E bëj këtë derdhje se PD më bëri tregtarë. Po të mos ishte kjo forcë politike, nuk do ta kisha këtë biznes që kam dhe që po më ecën mirë, thekson ai. Ndërsa e pyesim se çdo të bëjë nëse ndërrohet pushteti dhe se partia kundërshtare gjithashtu do ti kërkojë atij të derdhë një shumë të tillë për fushatë, ai ngre supet dhe ikën. As në PS-në, e qytetit dhe as nga tregtarët që e kanë derdhur tashmë taksën blu nuk mund të mësojmë dot shifrën e saktë, që është e detyrueshme të derdhet në bankë, por nga burime tepër të besueshme në shtabin e PD-së, mësojmë se ajo është jo më pak se 5000 euro dhe se justifikohet me vetë ligjin që ekziston akoma dhe që shprehet se vetë shtetasit, që kanë dëshirë të ndihmojnë në formën e donacionit, partitë politike mund ta bëjnë këtë gjë. Ky burim shprehet se këtë derdhje mund ta bënin edhe me lekë në dorë, por nuk duan që të përfliten për përfitime vetjake dhe në këtë mënyrë kanë arritur të gjejnë këtë zgjidhje, që gjithsekush që ka dëshirë të derdh në numrin e llogarisë në bankë lekët, që dëshiron të shkojnë në favor të fushatës elektorale. Pyetjes sonë se këto shuma a bëhen publike dhe kalojnë përmes taksimit, burimi ynë nuk di ti përgjigjet sepse pranë shtabit ka një grup tjetër drejtuesish të kësaj partie që merren konkretisht me këtë gjë. Drejtues të PD-së, dega Vlorë nuk e pranojnë një fakt të tillë, ndërkohë që akuza nga kampi tjetër është e hapur dhe se pohimi vjen edhe prej atyre që po e provojnë mbi kurriz këtë gjobë që tashmë ka marrë emrin gjoba blu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›