E Hënë, 2 Nëntor 2026

Demokratët, grevë urie në Kuvend? Për RTSH, ja si përgjigjet deputeti i zgjedhur Klevis Balliu

Klevis Balliu rikthehet në parlament si deputet i Partisë Demokratike. Rikthimin në aulën e këtij institucioni e vlerëson përgjegjësi në shërbim të interesit publik.

“Shkoj besimplotë se do të jetë një opozitë ballore, frontale, transparente, e cila do të jetë në ndihmë të qytetarëve,” thekson Balliu.

Demokratët pritet të marrin vendim në lidhje me aksionin e tyre politik për legjislaturën e re parlamentare, që nis në muajin shtator. Në intervistën për RTSH-në, Balliu thotë se opozita është e hapur për të gjitha format e reagimit për zgjedhjet e manipuluara, pa përjashtuar as idenë e ngujimit apo të grevës së urisë.

“Vendimet do të merren në forumet e Partisë Demokratike, ku nuk përjashtohet asgjë. Nëse kjo formë reagimi është e nevojshme, ta provojmë. I vetmi institucion legjitim sot në Shqipëri është opozita dhe përgjegjësia, sikundër misioni i saj, është shumë herë më i madh“, shprehet deputeti i zgjedhur demokrat.

Në betejën jetike për vendin, siç e cilëson atë për zgjedhje të lira, PD-ja, thotë Balliu, ashtu siç pritej, nuk pati në krah as sistemin e drejtësisë. Opozita denoncoi “bandat” që ishin në qendrat e votimit, të cilat nuk u panë nga SPAK, thekson ai.

“Siç ishte rasti i Xhabaftëve në Vorë, i Troplinëve në Durrës, i Suel Çelës në Elbasan. Pyetja ngrihet: Po këta superprokurorët që do të bënin namin në zgjedhje, përse nuk i gjetën dot këto prova?! Nuk i gjejnë, sepse nuk duan t’i gjejnë!” thotë Balliu.

Klevis Balliu thekson se zgjidhja është largimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili nuk lejon garën e barabartë të palëve në zgjedhje. Partia Demokratike ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja me garant qeverinë teknike.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›