Demokratët rrëzojnë Sali Shehun: S`përmbush kriteret

Deputetët e Partisë Demokratike në komisionin parlamentar të ekonomisë kanë rrëzuar propozimin e presidentit Topi për të emëruar Sali Shehun në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Rrëzimin e kandidaturës së Shehut deputetët demokratë e kanë argumentuar me faktin se ai nuk përmbush kriteret profesionale për të kryer këtë funksion. Sipas deputetëve presidenti Topi duhej të konsultohej më parë me Kuvendin përpara se të propozonte Sali Shehun në postin e kryetarit të KLSH-së.
Më herët në mbledhjen e komisionit të ekonomisë, Shehu ka theksuar se KLSH-ja duhet të jetë i pavaruar nga qeveria ndërsa paraqiti edhe projektet e tij për këtë institucion.
“KLSH-ja duhet të jetë i pavarur nga qeveria, dhe se roli i saj është të rrisë rolin auditues dhe të dërgojë shkelësit para drejtësisë” ka theksuar Shehu.
Disa ditë më parë Presidenti Bamir Topi ka dekretuar Sali Shehun si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai nuk është një emër i panjohur i Partisë Demokratike pasi ka qenë deputet i kësaj partie, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe i Kryesisë së Partisë.