Demokratët sigurojnë votën kyç për ligjin e kujdesit shëndetësor
Demokratët në Senatin Amerikan kanë arritur një kompromis duke siguruar të 60 votat e nevojshme që u duhen për të kaluar ligjin e kujdesit shëndetësor të mbështetur nga Presidenti i vendit, Barak Obama. Kjo është arritur përmes kompromisit me një senator i cili u bind duke qenë se iu premtua se në ligj do të përfshihej edhe klauzola në të cilën do të thuhej se fondet federale nuk do të përdoreshin për të financuar abortet. "Unë e di që çështja e abortit për shumë njerëz është një çështje delikate, por unë doja që të viheshin pikat mbi i pastaj të votoja për një ligj kaq të rëndësishëm", ka thënë senatori që u ka dhënë demokratëve numrin e duhur për të votuar projektin. Ai është një kundërshtar i ashpër i abortit dhe arritja e një marrëveshjeje me të është bërë pas një negocimi prej 13 orësh. Kjo votë u siguron demokratëve fitore në valën e parë të procedurave kyçe votuese që do të nisin në mëngjesin e së hënës dhe që do të përfundojnë ndoshta në prag të Krishtlindjeve. Ndërkaq, lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell ka premtuar se do të bëjë ç‘është e mundur për të vonuar votën duke u kapur kryesisht te kostoja e tij rreth 871 miliardë dollarë për një periudhë kohore prej 10 vitesh. Obama i ka kërkuar Senatit që të përfundojë me këtë ligj brenda vitit për të parandaluar që kjo çështje të shndërrohet në një çështje për palët që do të marrin pjesë në zgjedhjet e Kongresit në vitin 2010. Sipas sondazheve të fundit të opinionit publik, ky ligj po e humbet mbështetjen e njerëzve me shumicën që është kundër tij. Ligji i Senatit pritet që të shtrijë mbulesën e mbrojtjes për rreth 30 milionë amerikanë që nuk janë të siguruar, parashikon dhënien e mbështetjeve të ndryshme për ta në mënyrë që të paguajnë për ilaçet e shtrenjta. Për sa i përket senatorit Nelson, ai deri në fund nuk ka pranuar kompromise në lidhje me ligjin, por është bindur pas një negocimi që ka zgjatur plot 13 orë. Ai dhe persona të tjerë që janë kundër abortit druhen se mos paratë federale do të përdoren edhe për të financuar abortet. Një version i ligjit është miratuar nga Kongresi në 7 nëntor dhe në të gjendet një gjuhë e qartë anti-abortit.