Xhaçka: Berisha, fajtor për liberalizimin e vizave
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë shqiptare, si dhe Kryeministrin se është fajtori kryesor për vonesat e Shqipërisë në liberalizimin e vizave. Deputetja socialiste, Olta Xhaçka, tha se Shqipëria ka mbetur në klasë, ndërkohë që Sali Berisha përpiqet ta shesë si sukses faktin se herët a vonë dhe shqiptarët do të lëvizin lirisht në hapësirën shengen, por fatkeqësisht për ne ai moment do të vijë vonë. "Do të jemi të fundit në Europë. Sot qytetarët e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi festojnë, kurse ne presim. Shqipëria ka mbetur në klasë dhe ky është faji i Sali Berishës. Shqipëria mbeti e fundit dhe për këtë e ka fajin Sali Berisha", tha ajo. Sipas Xhaçkës, faji është i Sali Berishës që korrupsioni në Shqipëri sa vjen e bëhet më galopant, që Shqipëria mbi të gjitha nuk arriti të bënte zgjedhje të lira e të ndershme.