E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kopenhaga, arrihet marrëveshja minimale

Bisedimet e organizuara nga OKB për klimën kanë përfunduar me një arritje minimale dje, kur delegatët arritën një marrëveshje të nënshkruar nga OKB, Kina dhe vende të tjera në zhvillim që në fakt është shumë larg nga objektivat që i kishte vënë vetes konferenca. "Më në fund ne nënshkruam një marrëveshje, marrëveshjen e Kopenhagës që mund të mos jetë ajo që do të kishim dashur dhe për të cilën shpresuam, por që është gjithsesi një fillim i mbarë", ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Sipas tij, një rrugë e gjatë shtrihet përpara. Marrëveshja është më e dobët se traktati që synohej të arrihej dhe më e dobët edhe se marrëveshja politike që shumëkush e kishte parashikuar se do të konkludohej. Mbi të gjitha, sipas analistëve bëhet fjalë për një marrëveshje jo shumë të qartë dhe të përcaktuar. Sipas saj është caktuar një limit i ngrohjes globale me një maksimum prej 2 gradësh që është konsideruar edhe si pragu për ndryshimet e rrezikshme, për stuhitë e rërës dhe rritjen e nivelit të deteve. Por në të nuk thuhet se si do të arrihet një gjë e tillë. Në të është përmendur ndihma vjetore prej 100 miliardë dollarësh që do t‘u jepet vendeve në zhvillim nga viti 2020, por nuk specifikohet saktësisht se nga do të mblidhen gjithë këto para. Mbi të gjitha në to janë lënë për t‘u diskutuar për më vonë në lidhje me çështje thelbësore si reduktimin e emetimit të gazeve të dëmshme në të ardhmen. Për kreun e sekretariatit për Klimën të OKB-së, Yvo de Boer, kjo marrëveshje e arritur është vetëm një material që përbën një pikë nisjeje dhe një pikë orientimi nga e cila do të ndërtohen strategjitë e së ardhmes. Ndërkaq, një raund tjetër i bisedimeve për klimën është caktuar në nëntor të vitit 2010 në Meksikë. Negociatorët shpresojnë që të arrijnë një përfundim të saktë gjatë këtij takimi, të paktën në lidhje me ato çështje në të cilat dështoi takimi i Kopenhagës. Ajo çka pritet është arritja e një marrëveshjeje që të zëvendësojë Protokollin e Kiotos, por gjithsesi nuk ka asnjë garanci. Sesioni plenar i zhvilluar në Kopenhagë në të cilin morën pjesë 193 vende nuk ka bërë asnjë hap konkret në lidhje me këtë marrëveshje zëvendësuese. Ata nënshkruan vetëm një marrëveshje jo detyruese e formale për luftën kundër ngrohjes globale. Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Obama, Kina, India, Brazili dhe Afrika e Jugut.
Ndërkaq, në orët finale të bisedimeve që nisën më 7 dhjetor dhe përfunduan në orët e para të së shtunës, delegatët ranë dakord që të vendosnin një afat për nënshkrimin e një marrëveshjeje vepruese dhe ky afat është fundi i vitit të ardhshëm. Bëhet fjalë për marrëveshjen konkrete në të cilën do të përmenden shprehimisht masat e luftës kundër ngrohjes klimatike dhe promovimi i një ekonomie më të butë ndaj mjedisit dhe ambientit. Ndërkaq, marrëveshja e arritur ka njohur në mënyrë eksplicite "këndvështrimin shkencor" të çështjes, atë që bota duhet që të reduktojë emetimin e gazeve të dëmshme që janë shkaktarët e vërtetë të problemeve të fundit klimatike. Një arritje e veçantë ishte ajo nënshkruar nga Presidenti Obama dhe Kryeministri kinez, Wen Jiabao, si dhe liderët e Indisë, Afrikës së Jugut dhe Brazilit. Ata u zotuan në parim për reduktimin e gazeve të dëmshme. Obama, para largimit nga Kopenhaga, tha se kjo marrëveshje ishte një pikë e mirë nga mund të fillohej një bashkëpunim i së ardhmes. "Ky progres nuk ka ardhur lehtësisht dhe ne e dimë mirë se kjo nuk është e mjaftueshme. Për të mbërritur deri këtu kemi bërë rrugë të gjatë dhe kemi ende për të bërë", ka deklaruar Presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›