Demokratizimi i dhunës
KOSTA BARJABA
1. Dy qasje të gabuara
Më duket se ka një qasje të gabuar ndaj përhapjes alarmante të kriminalitetit në Shqipëri. Dy ndër pikat e dobëta të kësaj qasjeje janë absolutizimi i korrelacionit midis dhunës e varfërisë dhe përpjekjet për ta luftuar dhunën në mënyrë teknike, si një çështje e policisë dhe organeve të specializuara antikrim. Sipas interpretimit të parë, dhuna shkaktohet nga varfëria dhe përshkallëzimi i dhunës pasqyron rritjen e varfërisë. Pika e dytë e dobët e përkthen luftën kundër dhunës si një rritje të kundërgoditjeve të policisë, zakonisht të shprehur në nisma të llojit: X mijë euro për denoncimin e autorit të krimit. Pika e dobët e interpretimit të parë është se varfëria nuk pjell automatikisht krimin. Po të ishte ndryshe, njerëzit më të varfër do të ishin kriminelët më të mëdhenj. Pika e dobët e qëndrimit të dytë është se rritja e shkallës së zbulueshmërisë nuk është i vetmi faktor që mund të parandalojë krimin. Lufta ndaj dhunës dhe krimit nuk është një çështje teknike dhe për këtë arsye nuk kërkon një udhëheqje teknike, por adaptive. Fshatarët e Lazaratit nuk do të heqin dorë nga kultivimi i hashashit nga frika prej policisë, por kur tu ofrohen alternativa të tjera pune, jetese dhe zhvillimi. Shkollat sociologjike i kanë dhënë përgjigje të ndryshme përhapjes së kriminalitetit në shoqëri. Nga pikëpamja kohore, këto shkolla janë krijuar dhe i kanë lëvruar idetë e tyre në fillimet e lulëzimit të shoqërisë kapitaliste, çka përkon me stadin aktual të zhvillimit të Shqipërisë, si një shoqëri kapitaliste në zhvillim. Nga shpjegimet më të shumta që i janë bërë devijancës (dhe dhunës si forma e saj ekstreme) dhuna shqiptare mund të shpjegohet me gjendjen anomike të shoqërisë: kur normat, vlerat, standardet dhe rregullat e shoqërisë po humbasin dhe dalin jashtë rrjedhave të zhvillimit të saj. Korrelacioni më i pranueshëm në këtë kontekst është ai midis antidemokratizimit të shoqërisë dhe demokratizimit të dhunës.
2. Demokratizimi i motiveve
Varësia e përshkallëzimit të dhunës nga gjendja anomike e shoqërisë nuk është një politizim i çështjes, por kërkim i rrënjëve të saj. Sa më shumë antidemokratike (dhe kaotike) bëhet shoqëria, aq më demokratike (dhe sistematike) bëhet dhuna. Akti i parë i demokratizimit të krimit është demokratizimi i shkaqeve dhe motiveve të tij. Dikur motivet që i udhëhiqnin njerëzit drejt krimit ishin të rënda, të mëdha, gati-gati solemne. Kufijtë e lugjeve, gjaku i pamarrë, armiqësitë e thella e të trashëguara, shpinin natyrshëm dhe në mënyrë të pritshme drejt dhunës. Kjo krijonte një lloj parashikueshmërie të krimit, më të lartë dhe më efikase se të gjitha institutet e sotme të marra së bashku. Asnjë institucion studimi, shtetëror ose jo, nuk mund të mos parashikonte atë që kërkonte në mënyrë të programuar këmisha me gjakun e përtharë, e nderur në murin e kullës. Por kjo parashikueshmëri nuk ishte një masë parandaluese. Përkundrazi, duke qenë një mekanizëm shpjegues dhe statistikor i krimit, ishte më së pari një nxitës i tij. Gjaku i tharë dhe i zverdhur bënte thirrje për gjak të ri dhe askush nuk mund ti kundërvihej këtij imperativi. Por lehtësia me të cilën shoqëria pranonte krimet, sipas saj të justifikuara, plotësohej nga refuzimi i ashpër i krimeve vulgare, për shkaqe jo kanunore ose të papërligjura. Selektiviteti (kanunor, zakonor) i shkaqeve e motiveve të krimit tashmë nuk ekziston. Shqiptarët vriten për shkaqe nga më banalet, por që kanë të gjithë një rrënjë të përbashkët: pafuqinë e shtetit të tyre për të zgjidhur problemet jetësore të njerëzve. Më së pari, konfliktet midis tyre.
3. Demokratizimi i ushtruesve: krimi ka pushtet mbi të gjitha moshat
Dhuna tradicionale, jo vetëm ajo kanunore, ishte një dukuri gerontokratike. Kjo do të thotë se mosha kishte pushtet mbi krimin dhe jo e anasjella. Tradicionalisht moshat e reja, sidomos fëmijët dhe femrat, ishin përgjithësisht të përjashtuara nga rrathët e krimit. Sot ndodh ndryshe: krimi ka pushtet të plotë mbi të gjitha moshat. Mjafton tu hedhim një sy faqeve të kronikës së gazetave: adoleshentë që masakrojnë të rritur, të moshuar që përdhunojnë minorenë, një vajzë që ndjek në mesnatë dhunuesin, i cili ka moshën e prindit të saj, me kallashnikov në dorë; raste si këto u mbivendosen krimeve tradicionale, të rregulluara nga tradita zakonore. Shoqëria po tregohet e paaftë për të ngritur një pengesë sado të vogël apo simbolike përhapjes në formë rrathësh të dhunës dhe krimeve. Këta rrathë përfshijnë të gjitha moshat, njëkohësisht të dyja sekset dhe të gjitha brezat në familje. Prirja për dhunë dhe potenciali për krime ka hyrë në stofën e shoqërisë dhe është bërë njësh me të. Duke qenë kështu, kuptohet sa e pakuptimtë dhe jo eficente është vënia e një sasie eurosh në dispozicion të zbulimit të krimit. Për më tepër, parandalimit të tij.
4. Demokratizimi territorial dhe mobiliteti i krimit
Lëvizja e lirë e popullsisë po ndikon edhe në mobilitetin e krimit. Gjysma e popullsisë së Shqipërisë, përfshirë emigrantët, jeton sot në një vend të ndryshëm nga vendbanimi i vitit 1990. Paralel me demokratizimin e shkaqeve dhe motiveve të krimit, ka ndryshuar edhe vendndodhja e ushtrimit të dhunës. Një nga zhvendosjet më të mëdha territoriale është kapërcimi i kufijve të familjes dhe frekuenca e lartë e krimeve familjare. Një tjetër zhvendosje është ajo urbano-rurale dhe ruralo-urbane. Mjaft krime tradicionalisht rurale zhvendosen drejt metropoleve dhe periferive urbane: të ashtuquajturat krimet kanunore, gjakmarrja, hasmëritë e vjetra, mosmarrëveshjet për çështje pronash e pasurie. Paralel me këtë, mjaft krime urbane arratisen drejt fshatrave dhe zonave të largëta: vjedhjet, bastisjet, vrasjet për çështje morale etj. Këto prirje zhvendosëse kërkojnë një inteligjencë më të lartë dhe talent më të spikatur parandalues.
5. Segmentimi i krimit
Krimi përfshin në një segment trekohësh: përgatitjen, kryerjen dhe goditjen ndaj tij. Në të tria kohët, shoqëria paraqitet vulnerable dhe mjaft e thyeshme ndaj krimit. Përgatitja e krimit ndodh në një terren pjellor, i cili ushqehet edhe nga problemet sistemike të agjencive të socializimit dhe edukimit. Shkolla, familja, rrjetet shoqërore, mediat elektronike nuk e kanë marrë veten nga pasojat e kthesës 360-gradëshe që pësoi shoqëria shqiptare para dy dekadash. Secila prej këtyre agjencive ka probleme të brendshme. Probleme ka edhe në raportet, komunikimin dhe (mos)harmonizimin midis tyre. Faza e kryerjes së krimit e favorizon atë, për shkak të rrjeteve të dobëta mbrojtëse të sigurisë shoqërore, fizike dhe policore të njësive të shoqërisë. Imagjinoni sa lehtësisht mund të hyjnë kriminelët dhe dhunuesit në një bankë, shkollë, njësi prodhimi apo mjedis tjetër publik. Pamjet filmike të transmetuara shpesh në TV provojnë plotfuqishmërinë e kriminelëve në skenat e krimit dhe tulatjen e ruajtësve të rendit, viktimave dhe qytetarëve. Ndërsa zbulimi dhe goditja ndaj krimit janë një problem i njohur. Shkalla e ulët e zbulueshmërisë dhe ndëshkueshmërisë janë një ushqyes permanent i dhunës dhe krimit.
6. Kostot e ulëta të komunikimit si favorizuese të krimit
Bota jeton moshën e internetit. Teknologjitë moderne të komunikimit po përhapen me shpejtësi edhe në Shqipëri. Këto kanë ndikime të drejtpërdrejta në demokratizimin e dhunës. Në shekullin e kaluar, teknologjia favorizonte hierarkinë dhe kontrollin e sjelljes shoqërore. Radioja, televizioni, filmat, për të përmendur vetëm disa arritje teknologjike ndihmo