Maturantët e sivjetshëm më të orientuar drejt tregut të punës
Universitetet me konkurs
Ndryshojnë raportet mes degëve. Grafik Dizajn i zë vendin pikturës dhe artit skenik
Shpresa Mezini
Maturantët e vitit 2012 janë më të orientuar drejt tregut të punës se ato të viteve të kaluara. Kjo do të thotë, që më në fund, pas 7 vjetësh përvojë në arsimin shqiptar, Matura Shtetërore e arriti rezultatin e shumëpritur. Aplikimi i sistemit të Maturës Shtetërore, që në herën e saj të parë synonte afrimin e të rinjve me tregun e punës, nëpërmjet përzgjedhjes së preferencave në formularin A2, por nxënësit në vite duket se nuk e kanë kuptuar qëllimin e saj. E kundërta ndodh me maturantët e këtij viti, qoftë me ato që u drejtohen universiteteve me konkurs apo pa konkurs. Përzgjedhja e preferencave, duke bërë përllogaritjen ekzakte të formulës magjike të këtij sistemi ka bërë që nxënësit të mos gabojnë, përkundrazi tu drejtohen fakulteteve ku probabiliteti i tyre për të fituar është më i lartë. Të zgjuar janë treguar edhe të rinjtë që preferojnë fakultetet me konkurs, siç është Universiteti i Arteve të Bukura, Sportet, Arkitektura apo institucionet e të njëjtit lloj të pozicionuara në Shkodër, Elbasan dhe Durrës.
Dikur piktura apo arti skenik ishin ndër degët më elitare për ata që studionin në Akademinë e Arteve. Sot, i shndërruar në universitet, institucioni i ka ndërruar raportet për degët më shumë apo më pak të preferuara nga kandidatët për studentë.
Sipas dekanit të Fakultetit të Arteve të Bukura, Artan Peqini, sot dega e Grafik Dizajnit është pa diskutim më e kërkuara në këtë universitet. Fakt që lidhet ngushtë me ofertat e tregut të punës, duke renditur në vend të dytë Regjinë Filmike apo televizive, por edhe degën Modë Tekstil.
Konkursi
Konkursi për këtë vit akademik në Universitetin e Arteve të Bukura do të zhvillohet më datë 27 gusht-1 shtator. Ndërkohë, sipas të dhënave, mësohet se deri më tani në këtë institucion kanë aplikuar rreth 220 kandidatë. Mësohet se mes degëve me më pak studentë, mbeten Skulptura apo ato nga Fakulteti i Muzikës. Duke iu referuar udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, regjistrimet në këto fakultete kanë nisur më datë 16 gusht, ndërsa pritet të përfundojnë më 27 gusht, afate të njëjta kohore për të gjitha fakultetet që pranimet e studentëve të rinj i bëjnë nëpërmjet zhvillimit të konkursit.
Në degën e Arkitekturës, kandidatët do të testohen në datat 3, 4 dhe 5 shtator. Për këtë vit është menduar që pesha e konkursit të zërë rreth 70 për qind të rëndësisë në caktimin e fituesve, ndërsa pjesa tjetër u takon elementeve përbërëse të maturës. Por për të marrë pjesë në këto testime ata fillimisht duhet të regjistrohen sipas afateve të caktuara. Për të bërë regjistrimin nxënësi duhet të dorëzojë në sekretari dosjen me dokumentet specifike, formalitet i njëjtë për të gjitha universitetet me konkurs, ndërsa tarifa e regjistrimit kushton 8 mijë lekë të vjetra, më shtrenjtë se të tjerat.
Në Universitetin e Sporteve të Tiranës dhe të Shkencës së Lëvizjes datat e zhvillimit të konkursit janë 29-31 gusht.
Pagesa që duhet të kryejnë kandidatët që për këtë vit kanë preferuar universitet me konkurs, qoftë në Tiranë apo në qytete të tjera, fillon nga 5-8 mijë lekë të vjetra, ku rekord mban ai i Arkitekturës.
Të dhëna
Datat - Konkurset në universitetet me konkurs do të zhvillohen në datat 27 gusht deri më 1 shtator
Pagesa - Tarifa që do të paguajnë kandidatët e interesuar fillojnë nga 5 mijë deri më 8 mijë lekë të vjetra
Degët - Ndryshojnë degët e preferuara tek artet. Vendin e parë e zë Grafik Dizajn, e ndjekur nga Piktura dhe Arti Skenik
Rezultati - Matura Shtetërore 2012, e suksesshme. Maturantët zgjedhin degët sipas kërkesave të tregut të punës
Arkitektura - Konkursi zë rreth 70 për qind të rëndësisë në caktimin e fituesve, ndërsa pjesa tjetër i Maturës Shtetërore
Maturantët e sivjetshëm më të orientuar drejt tregut të punës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip