E Enjte, 5 Nëntor 2026

Demonstrimi i qenve të policisë, Balla: Konsolidim i bashkëpunimit midis njësive K9 në Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Taulant Balla mori pjesë sot në takimin e zhvilluar në Tiranë me përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, diplomatë të huaj, në kuadër të një projektit të OSBE-së “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut te përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Aktiviteti u fokusua tek demonstrimi rajonal i aftësive të qenve të policisë në zbulimin e narkotikëve dhe armëve të zjarrit.

Balla e cilësoi aktivitetin si tepër të rëndësishëm në kuadër të aktiviteteve të shumta që Ministria e Brendshme dhe OSBE organizojnë së bashku.

“Jam i bindur se ky aktivitet do të mundësojë intensifikimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet njësive K9 në Ballkanin Perëndimor dhe krijimin e një platforme për shkëmbimin e praktikave më të mira në këtë drejtim, të cilat luajnë një rol parësor në zbatimin e ligjit dhe sigurisë, zbulimin e krimit dhe mbi të gjitha për rritjen e besimit të komuniteteve ndaj policisë”, u shpreh Balla në fjalën e tij.

“Sot, më shumë se kurrë, siguria është një prej prioriteteve tona më të mëdha në secilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe këtu armët e paligjshme paraqesin gjithmonë një kërcënim serioz për sigurinë publike, për stabilitetin dhe për progresin e rajonit tonë. Në këtë kontekst, kapacitetet e K9 dhe qentë e mirë trajnuar të policisë luajnë një rol të pazëvendësueshëm në luftën e përditshme, sistematike kundër trafikimit të armëve dhe aktiviteteve të tjera kriminale”, theksoi ai.

Ne, vijoi Balla, “kemi në Shqipëria një Institut të Përgatitjes së Qenve të Policisë, kjo kafshë besnike e njeriut, e cila ka shërbyer dhe vazhdon të shërbej rregullisht si një aset i çmuar, duke mbajtur madje edhe distinktivët ku shkruhet “Policia”. Pra ata janë pjesë e punës së përditshme e punës së organizatës së Policisë së Shtetit”.

“Të mos harrojmë asnjëherë që qentë e mirëstërvitur përdoren jo vetëm për zbulimin e armëve të fshehura në kroskote, në sedilje makinash, në vende të fshehura, por një gamë tjetër më të gjerë, objektesh e fenomenesh, mos harrojmë që i përdorim qentë e policisë për të zbuluar drogën, për të zbuluar eksplozivët, paratë e padeklaruara “cash”, dhe sidomos edhe kur kemi fatkeqësi natyrore dhe na duhet t’i përdorim qentë për të gjetur persona dhe pa harruar dhe neutralizimin e personave të armatosur apo gjurmimin e tyre.
Sapo mora ftesën për këtë aktivitet, menjëherë konfirmova pjesëmarrjen sepse duam të bëjmë edhe këtu një ngritje të mëtejshme, në një nivel tjetër të Institutit, sepse qentë e stërvitur mirë, janë, sikurse ndodh në shumë vende të botës, një njësi shumë e dobishme, në shumë aspekte, përfshirë këtu edhe shërbimet e shpëtimit”, u shpreh Balla.

Balla u ndal edhe tek thelbi i projektit për luftën dhe goditjen e përditshme e fenomenit të armëmbajtjes pa leje si një prej detyrave kryesore të Policisë së Shtetit.

Ministri bëri me dije se nga të dhënat policore rezulton se fenomeni i armëmbajtjes ka ende një shtrirje dhe prani të madhe në mjaft zona të vendit.

“Në 300 ditët e fundit, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të rëndësishëm kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje, sikurse është “Sundimi i Ligjit” dhe ka sekuestruar disa qindra armë zjarri, 415 armë zjarri, shto këtu edhe një numër shumë më të madh armësh të ftohta. Pra, kjo na dëshmon se kemi një shpërndarje dhe prezencë të madhe të armëve të vogla dhe të lehta tek qytetarët,” theksoi Balla.

Në këtë aktivitet rajonal, u prezantuan njësitë K9, ose ndryshe, qentë e stërvitur të policive të vendeve të rajonit, të cilat demonstruan aftësitë e tyre në gjurmim, nuhatje të lëndëve narkotike, eksplozivëve etj.

Demostrimi rajonal i qenve të policisë, foto: Agim Dobi 1 nga 8

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›