E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi, përfundon rivlerësimi i dëmit për 3808 familje

Grupet e punës, të ngritur nga ALUIZNI dhe Enti Kombëtar i Banesave, pas vendimit të qeverisë kanë përfunduar procesin e rivlerësimit për familjet e prekura nga tragjedia e ndodhur në fshatin Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Sipas rivlerësimit të bërë nga grupi i punës, për 3808 familje për zonat e ndryshme pranë tragjedisë rezulton se dëmi efektiv llogaritet në rreth 1,6 miliardë lekë. Rinisja nga e para e vlerësimit të dëmit, shkaktuar nga shpërthimi i fabrikës së municioneve, erdhi si pasojë e qindra ankesave nga ana e subjekteve të prekura, të cilët pretendonin se janë bërë gabime në përllogaritjen e dëmit. Ky fakt u pranua nga qeveria, e cila urdhëroi dy ministrat, Nishani dhe Olldashi, për ringritjen e grupeve të punës në dy qarqet që mbulojnë komunat dhe fshatrat e dëmtuar. Nga të dhënat e ofruara nga Kryeministria, del se dëmi më i madh është shkaktuar në zonën e Marqinetit me rreth 645 milionë lekë, në qytetit e Vorës me rreth 210 milionë lekë, si dhe në fshatin Gërdec me rreth 309 milionë lekë. Në objektet e rivlerësimit janë marrë parasysh shtëpitë e dëmtuara, objekte bujqësore, toka dhe orienti shtëpiake. Po ashtu, është bërë vlerësimi i dëmit dhe për bizneset të shtrira përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, ku për 38 subjektet private, shteti do të dëmshpërblejë me shumën që shkon në rreth 46 milionë lekë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›