Dëmtimi i gazetarit Klevin Muka nga Policia, reagojnë AGSH dhe APJ: Duhet sqarim zyrtar dhe përgjegjësi institucionale për incidentin
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë kanë reaguar pas incidentit të raportuar ndaj gazetarit të News24, Klevin Muka, gjatë raportimit nga protesta e 12-të studentore në Tiranë. Gazetari dyshohet se u spërkat me ujë me piper nga efektivët dhe pësoi acarim të fortë të lëkurës, me tipare të një djegieje të shkallës së parë.

AGSH e ka dënuar incidentin, duke kërkuar nga Policia e Shtetit të sqarojë menjëherë rrethanat, të identifikojë efektivët e përfshirë dhe të garantojë një hetim të paanshëm e efektiv. Asociacioni thekson se rasti vjen pas një serie incidentesh të raportuara ndaj gazetarëve gjatë protestave që kanë nisur më 13 tetor, duke e çuar në 43 numrin e rasteve të raportuara, përfshirë dhunën fizike, kërcënimet, pengimin e raportimit dhe sulmet verbale nga përfaqësues politikë.
Nga ana tjetër, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ka shprehur solidaritetin me Klevin Mukën dhe ka kërkuar transparencë të plotë nga Policia e Shtetit mbi përbërjen e lëndës së hedhur nga autoboti, si dhe të gazit lotsjellës, pas raportimeve për simptoma lëndimi te gazetarët dhe protestuesit. Shoqata e cilëson të papranueshme që punonjësit e medias të lëndohen gjatë ushtrimit të detyrës dhe thekson se siguria e gazetarëve është detyrim i institucioneve, ndërsa cenimi i saj prek drejtpërdrejt të drejtën e publikut për t’u informuar.
Të dyja shoqatat kanë kërkuar sqarim zyrtar dhe përgjegjësi institucionale për incidentin.
Reagimi i plotë i AGSH:
AGSH dënon incidentin ndaj gazetarit të News24, Klevin Muka, gjatë protestës në Tiranë
Tiranë, 24 tetor 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë për një tjetër incident të raportuar ndaj punonjësve të medias gjatë protestave në Tiranë.
Sipas informacioneve të raportuara, gazetari i News24, Klevin Muka, ka mbetur i dëmtuar gjatë ushtrimit të detyrës së tij profesionale, pasi dyshohet se është spërkatur me ujë me piper nga efektivë të Policisë së Shtetit.
AGSH dënon çdo përdorim të pajustifikuar ose joproporcional të forcës ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, të cilët ndodhen në terren për të informuar publikun mbi zhvillimet e protestave.
Ky incident i ri vjen pas një serie të gjatë rastesh të raportuara të dhunës fizike, kërcënimeve dhe pengimit të gazetarëve gjatë protestave që kanë nisur më 13 tetor. Me rastin e sotëm, bilanci i AGSH-së arrin në 43 raste të raportuara ndaj gazetarëve dhe mediave, përfshirë edhe sulmet verbale nga përfaqësues politikë.
AGSH i kërkon Policisë së Shtetit të sqarojë menjëherë rrethanat e incidentit ndaj gazetarit Klevin Muka, të identifikojë efektivët e përfshirë dhe të garantojë një hetim të paanshëm dhe efektiv të çdo pretendimi për përdorim të paligjshëm të forcës.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe institucioneve përgjegjëse të trajtojnë me seriozitet të gjitha rastet e raportuara të dhunës ndaj gazetarëve gjatë këtyre protestave.
Siguria e gazetarëve nuk është çështje dytësore e menaxhimit të protestave, por detyrim themelor i institucioneve shtetërore.
Reagimi i plotë i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë:
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (SHGPSH-APJA) shpreh solidaritetin me gazetarin Klevin Muka i TV News 24, i cili pësoi acarim të dukshëm të lëkurës në trup, me tipare të një djegieje të shkallës së parë, pasi u lag nga uji i lëshuar prej autobotit të Policisë, teksa po raportonte mbi protestën e ditës së sotme në Tiranë. Është skandaloze që gazetarët të lëndohen teksa informojnë publikun. Kjo është një situatë që vazhdon të përsëritet. Kërkojmë nga Policia e Shtetit një shpjegim zyrtar dhe transparencë të plotë mbi përbërjen e lëndës së hedhur nga autoboti, si dhe të gazit lotsjellës, përdorimi i të cilave, po raportohet se po shkakton simptoma lëndimi tek punonjësit e medias dhe protestuesit. I urojmë kolegut Klevin Muka shërim të shpejtë dhe shprehim mbështetjen për të gjithë gazetarët që prej 12 ditësh raportojnë në kushte të vështira, duke u ekspozuar në mënyrë të përsëritur ndaj gazit lotsjellës dhe mjeteve të tjera të përdorura nga policia. Transparenca e Policisë së Shteti është detyrim, jo zgjedhje. Cenimi i sigurisë së medias cenon të drejtën e publikut për t’u informuar.