E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet Amauri, 25 ditë jashtë

Kontrollet e hollësishme kanë nxjerrë në pah një dëmtim të shkallës së parë në tendinën e majtë të brazilianit, i cili u detyrua të lërë fushën e lojës në sfidën ndaj Ajaksit të enjten. Ky është një tjetër lajm i keq për trajnerin Zakeroni, pas dëmtimit të portierit Bufon, që do të mungojë për një muaj.

Amauri do të mungojë ndaj Palermos, Fiorentinës, Sienës dhe Sampdorias në kampionat. Por më e dhimbshme është pamundësia për të qenë në dy sfidat e Ligës së Europës me anglezët e Fulhamit. Dëmtimi për bomberin bardhezi vjen në momentin më të papërshtatshëm, sepse sapo kishte rigjetur golin pas një periudhe të gjatë.

Mungesa e Amaurit krijon hapësirë për sulmuesin tjetër, David Trezege. Francezi është gati të riveshë fanellën e titullarit, me të cilën ka shënuar deri tani tetë gola në 19 ndeshje në këtë sezon. Në këtë mënyrë, gjatë muajit të ardhshëm dyshja e sulmit për Juventusin do të jetë Trezege-Del Piero (kujtojmë që edhe sulmuesi tjetër, Iakuinta, është i dëmtuar dhe do të jetë jashtë edhe për të paktën dhjetë ditë të tjera).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›